Vota shqiptare në Kërçovë rrezikon përçarjen?! Maksuti: Partitë t’i ulin flamujt partiak, të unifikohen për një kandidat!

TË FUNDIT

Zgjedhjet Lokale të vitit 2021 në Kërçovë vazhdojnë të jenë top temë e ditëve të fundit.

Deklaratat e partive politike shqiptare se secila do të dalë me kandidat të vetin në zgjedhje, rrezikojnë dukshëm përçarjen e votës.

Profesori universitar Mersim Maksuti thotë se partitë politike duhet t’i ulin flamujt partiak dhe të ulen të merren vesh për një kandidat të përbashkët.

 “Shqiptarët e Kërçovës në mënyrë të veçantë, individë të caktuar dhe parti politike të caktuara duhet të ulin ambiciet e tyre personale por edhe partiake flamujt e tyre partiak dhe të gjejnë një figurë e cila do të jetë unifikuese për të gjitha partitë politike me qëllim që të mos ta rrezikojnë fitoren në qytetin e Kërçovës. Kjo për arsye se Kërçova paraqet një rast ndryshe, një situatë tjetër nga gjithë qytetet e tjera ku banojnë shqiptarë”, tha Mersim Maksuti – analist politik.

Maksuti mendon se nëse nuk vjen diaspora për të votuar, atëherë kjo do të jetë edhe një tjetër humbje për Kërçovën duke e ditur që një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë në diasporë.

“Këtë fakt tanimë të gjithë e dimë për arsye demgrafike se jemi të rrezikuar në kuptimin aq më tepër që një emigracion, një popullatë masovike jashtë qytetit dhe ky është një fakt tash i gjithëditur. Andaj duke u nisur nga ky fakt partitë politike nuk guxojnë të bëjnë kalkulime të ngushta partiake duke rrezikuar interesin tonë të përgjithshëm”, tha Mersim Maksuti – analist politik.

Edhe Profesori i Ekonomisë  Fluturim Saliu mendon se nëse në bazë të numrave, vendimi më i favorshëm është që të përkrahet një kandidat nga të gjitha paritë, sepse ndryshe përçahet vota shqiptare 65 % me 35 %, në bazë të numrit të votave të zgjedhjeve të fundit.

 “Zgjedhjet lokale 2021 –analizë”

Supozohen 12000 vota për kandidat shqiptar pa diasporën

dhe 11000 vota për kandidatin maqedonas.

Nëse votat shqiptare ndahen, atëherë kandidati maqedonas kalkuluar në përqindje, fiton rreth 48-49%, e cila përqindje më një mobilizim shtesë kalon 50% +1 me gabim standard të vogël.

Ndërsa nga 100% i votave shqiptare që dy ciklet e fundit kanë votuar një kandidat, nëse i ndajmë në dy kandidatë siç paralajmërohet, atëherë votën shqiptare e ndajmë në 65% për njërin kandidat me 35% për kandidatin tjetër. Nëse shqiptarët shkojnë me një kandidat dhe pa mobilizim të diasporës atëherë kandidati shqiptar supozohet të marrë 52% të votave. Këto shifra dalin duke mos marrë parasysh migrimin e 4 viteve të fundit”, tha Fluturim Saliu – profesor i Ekonomisë.

TV21 kontaktoi edhe përfaqësues nga diaspora shqiptare. Thonë se është koha për ndryshim dhe se do të ishte e pëlqyeshme që të zgjidhej një kandidat nga diaspora i cili do të ishte i pëlqyeshëm për të gjithë partitë politike shqiptare.