Von Cramon: Jo Macron, problemi për mos liberalizimin e vizave për Kosovën është ministri i Brendshëm francez

TË FUNDIT

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka akuzuar ministrin e Brendshëm të Francës, për mos-liberalizimin e vizave për Kosovën.  Cramon i bëri këto komente në Twitter, duke iu përgjigjur gazetares austriake Franzika Tschinderle, e cila kërkoi shpjegime për politikën e jashtme të Francës.

“A mund të më shpjegojë dikush politikën e jashtme të Francës? Bllokimi i një shteti me 1.8 milion banorë me vite e vite nga marrja e diçkaje kaq themelore si liberalizimi i vizave. Çfarë përfiton konkretisht nga kjo një shtet me 67 milionë banorë?”, ka pyetur gazetarja austriake.

Në një postim tjetër ajo ka thënë “do të më interesonte vërtet se cilët janë këshilltarët ballkanikë të Macron dhe cilat janë shqetësimet e tyre.”

Ndaj këtij postimi të gazetares austriake ka reaguar Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon

Ajo ka thënë se “Problemi nuk është ai apo këshilltarët e tij, por ministri i Brendshëm,” ka shkruar Cramon.

Kujtojmë se në fjalimin e saj të mbajtur në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e shteteve anëtare, që të japin një mesazh të qartë sot.

“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit,” deklaroi Osmani.