VMRO publikon mesazhe të reja! MPB demanton se kanë ndaluar makina me koordinim

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE edhe sot ka vazhduar me akuza ndaj MPB duke shpalosur siç thonë keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dragan Kovaçki nga kjo parti thotë se grupi i formuar në Viber me zyrtarë të MPB-së,  në ditën e zgjedhjeve janë koordinuar për të ndaluar makinat për të penguar qytetarët. Sipas Kovackit ky grup është koordinuar nga një këshilltar i ministrit të punëve të brendshme Oliver Spasovski.

“Darko Cuculovski komandant MPB Prilep ka dhënë urdhër: Nëse duhet sajoni ndonjë kundërvajtje dhe largoni, ka mbetur edhe pak, nuk e di ku do jem. Të nderuar qytetarë jo vetëm që zyrtarët janë përdorur si policë të LSDM-së, por dhe janë përdorur për të mbledhur vota për LSDM-në”, tha Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.  

Ministria e Punëve të Brendshme në mënyrë kategorike i ka hedhur poshtë akuzat e VMRO-së duke i quajtur të pavërteta.

 “Në datën e zgjedhjeve, 17 tetor, në Prilep nuk ka të dërguar ndonjë automjet për kontrollim teknik, as nuk është shqiptuar sanksion për kundërvajtje në trafik, që dëshmon se veprimet e përmendura, në të vërtetë nuk kanë ndodhur”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga MPB gjithashtu thonë se MPB-ja është garantues i të gjitha zgjedhjeve të lira nga viti 2017 deri më sot, dhe se VMRO –DPMNE po përhap të pavërteta.