Për partinë në pushtet VMRO-DPMNE Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje reale prej 4.3% në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 1.6% në fillim të vitit 2024. Sipas Kuzmanoskës, rritja mbështetet nga investimet, eksporti, ndërtimtaria dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Investimet janë rritur 16.5%, eksporti 10.4%, ndërsa ndërtimtaria ka shënuar rritje prej 21.9%n në të njëjtën kohë, inflacioni është ulur në 2.3%. Qeveria thotë se synon që rritja ekonomike të sjellë paga më të larta, vende të reja pune dhe standard më të mirë jetese.
“Ekonomia maqedonase po rritet me ritëm të përshpejtuar. Të dhënat më të fundit tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2026, rritja reale ekonomike arriti në 4.3 për qind. Ky është një numër i rëndësishëm, por edhe më e rëndësishme është se ai nuk vjen i vetëm dhe nuk është rezultat vetëm i një tremujori të mirë. Kur morëm përgjegjësinë për drejtimin e shtetit në qershor të vitit 2024, pas nesh mbetej një periudhë në të cilën ekonomia maqedonase për një kohë të gjatë lëvizte me një ritëm të pamjaftueshëm. Në tremujorin e parë të vitit 2024, rritja ishte vetëm 1.6 për qind. Sot, dy vite më vonë, flasim për një rritje prej 4.3 për qind”, tha Biljana Kuzmanoska, deputete e VMRO-DPMNE-SË.
Nga ana tjetër, LSDM akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski se po e çon Maqedoninë e Veriut drejt 12 miliardë eurove borxh. Opozita pretendon se Qeveria ka vendosur për një huamarrje të re prej 1.3 miliardë eurosh dhe se po manipulon të dhënat për borxhin publik. LSDM thotë se rritja e borxhit po rëndon mbi qytetarët dhe akuzon qeverinë për keqmenaxhim ekonomik.
“Dje Mickoski nuk kishte më rrugëdalje – pranoi se po e çon Maqedoninë drejt një borxhi prej 12 miliardë eurosh. Por pamë gjithashtu se Mickoski në mënyrë të ngathët u përpoq ta gënjejë opinionin publik lidhur me atë se si po manipulohet borxhi publik. Sot i demaskojmë të gjitha gënjeshtrat e Mickoskit. Nëse huamarrja prej 1.3 miliardë eurosh është për vitin 2027, siç thotë Mickoski, pse Qeveria nxitoi të merrte vendim pesë muaj më herët?”, u shpreh Simona Cvetanovski – anëtare e komitetit ekzekutiv në LSDM.
LSDM kritikon edhe borxhin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe kërkon përgjegjësi për mënyrën e menaxhimit të financave. Sipas opozitës, shpenzimet për interesa janë rritur nga 120 në 350 milionë euro, ndërsa në dy vite janë krijuar rreth 4 miliardë euro borxh i ri.
