Nga opozitarja VMRO-DPMNE edhe sot me thirrje që të jepet mbështetje për referendumin për shfuqizim të Marrëveshjes me Bullgarinë. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski në brifing me gazetarë tha se prej nesër do të fillojë me grumbullimin e nënshkrimeve për mbajtjen e referendumit. Edhe koordinatori i grupit parlamentar të partisë, Nikolla Micevski shpjegoi vendimin që u soll në seancën e djeshme të Komitetit Ekzekutiv. Kjo nismë është tërësisht europiane, pasi i kundërshton politikat dhe veprimet mohuese të Bullgarisë ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas, thotë Micevski.
“U bëjmë thirrje të gjithë opinionit maqedonas, ekspertëve, partive politike, organizatave civile, qytetarëve në përgjithësi t’i bashkëngjiten iniciativës dhe ta mbështesin referendumin. I bëjmë thirrje Lidhjes Socialdemokrate të mos taktizojnë me vullnetin e popullit, të tregojnë kapacitet demokratik dhe të bëjnë thirrje për dalje në referendum”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM-ja me kundërpërgjigje. Thonë se referendumi është kundër BE-së, gjuhës dhe identitetit maqedonas dhe se do të dështojë. Pasi ranë në ujë të gjitha përpjekjet e Mickoskit për destabilizim të shtetit, ai tani shpikë forma të reja për bllokada të reja, u shpreh Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
“Kjo nismë e Mickoskit është referendum kundër anëtarësimit në BE, kundër gjuhës dhe identitetit maqedonas. Kjo nismë është për përdorimin e tij të brendshëm, nismë e cila nuk ka mbështetjen e qytetarëve, partive opozitare dhe nuk do të kalojë me sukses. Edhe pse Marrëveshja është ratifikuar para 4 vjetëve, Mickoski tani e ndërmerr këtë hap të dëshpëruar, sepse kolltuku i tij në VMRO-DPMNE po lëkundet”, tha Darko Kaevski, LSDM.
Nismën për referendum nuk e mbështesin as partitë shqiptare, në pushtet e në opozitë. Duke pasur parasysh këtë, vihet në pikëpyetje nëse edhe përkundër 100 nënshkrimeve të mbledhura për dorëzim të kërkesës në Kuvend, mund të pritet se kjo nismë do të kalojë? Vendimi është antieuropian dhe destruktiv, vlerësojnë nga BDI-ja dhe Aleanca për shqiptarët.
“Të gjitha përpjekjet që janë kundër vazhdimit të rrugës sonë evropiane janë regresive dhe bazohen në mbjelljen e frikës, paparashikueshmërisë, pasigurisë dhe bëhen me të vetmin qëllim – të vijnë në pushtet duke mashtruar popullin”, theksoi Arbër Ademi, BDI.
“Aleanca për Shqiptarët, qëndrimin rreth eurointegrimeve e ka thënë në seancën e Kuvendit duke mbështetur propozimin francez. Kështu që, vetë fakti që ne e mbështetëm, e përcakton qëndrimin tonë sa i përket referendumit”, tha Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.
Në Komitetin e djeshëm Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së u soll vendim se pyetja e referendumit do të jetë: A jeni për heqjen e vlefshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë?
