19 ekipe të VMRO-DPMNE-së janë shpërndarë në 120 vendbanime të ndryshme për të dëgjuar hallet e qytetarëve. Ndonëse ky ishte qëllimi i takimeve në terren, folësit e VMRO-DPMNE-së nuk lanë vend pa folur edhe kundër korridorit 8 dhe 10D. Nënkryetarja e kësaj partie Gordana Dimitrieska-Koçkoska tha se me vendosjen e flamurit europian mbi marrëveshjen me “Behtel dhe Enka” tashmë është e qartë se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe në të ka krim e korrupsion.
“Është marrëveshje e bazuar në ligje jo ekzistuese, ligje të cilat tani hynë në Kuvend dhe jo rastësisht i kanë vendosur flamur europian sepse është mënyra e vetme që t’i ikin opinionit publik. Kjo është mënyra e vetme që t’i fshehin punët dhe të mos ketë debat publik”, tha Gordana Dimitrieska-Koçkoska, nënkryetare e VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër LSDM thotë se VMRO-DPMNE dhe partia pro-ruse “Levica” tashmë ka muaj që propagandojnë kundër kompanisë amerikane Behtel. Nga kjo parti thonë se pavarësisht të gjithave, korridori 8 dhe 10 D do të ndërtohen.
“VMRO-DPMNE me çdo çmim dëshiron ta bllokojë projektin më të madh strategjik nga infrastruktura. Ne si grup deputetësh nuk do të lejojmë. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat që janë në dispozicion dhe nëpërmjet një procedure ligjore adekuate do t’i sjellim ndryshimet në 5 ligjet që garantojnë ndërtim më të lirë dhe më të shpejtë të seksioneve të korridoreve”, pohoi Daniella Nikollova, deputete e LSDM-së.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësojnë se dorëzimi i propozim-ligjeve për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D me flamur europian është vendim i përgjegjshëm në interes të qytetarëve dhe procedurave efektive.
“Bllokada e paarsyeshme dhe e pakuptueshme e VMRO-së dhe Levicës i kushton shtetit dhe qytetarëve më shumë se 150 milionë euro ndërtime më të shtrenjta dhe mbi dy vjet ndërtim të gjatë. VMRO DPMNE dhe E majta në mënyrë aktive po bllokojnë në Kuvend mbi 500 milionë euro projekte për qytetarët dhe shtetin, pa asnjë arsye dhe vetëm për të shkaktuar dështimin e projekteve për qytetarët për motive të ulëta ditore politike”, thonë nga BDI.
Këto ditë pritet që Qeveria t’i dërgojë për miratim në Kuvend të gjitha 5 ligjet me flamur europian, përkatësisht me procedurë të shkurtër, mes të cilave është ligji për marrëdhëniet pune, dy ligje nga resori i transportit, për ndërtim dhe planifikim urbanistik dhe ligji për shpronësim.
