Pas takimit të liderëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe kushteve që ka shtruar lideri i kësaj të fundit Hristijan Mickoski, na presin shumë gjimnastika politike, vlerëson eksperti politik Sefer Selimi. Takimin e krerëve të partive më të mëdha maqedonase Selimi e vlerëson të suksesshëm pasi siç shprehet, pengesat janë mënjanuar dhe tani është krijuar një fushë e hapur ku diskutohet se si të arrihet deri të ndryshimet kushtetuese.
“Do të ketë mjaft gjimnastika politike në ditët në vijim, siç duket edhe vetë lideri i VMRO-DPMNE-së u kap në befasi posaçërisht nga BDI, e cila u tregua e gatshme që të tërhiqet nga qeveria për të zhbllokuar rrugëtimin drejt BE-së.”- tha Sefer Selimi – ekspert politik.
Por cili është qëllimi i VMRO DPMNE-së e cila vazhdimisht po parashtron kushte?
“Natyrisht kompromisi nuk mund të jetë plotësimi i të gjitha kërkesave vetëm të njërës anë dhe këtë e dinë partitë politike serioze dhe që kanë për qëllim të arrijnë në një kompromis.
Nëse VMRO-DPMNE ka hyrë me këtë rrugëtim për t’u tallur me veten dhe qytetarët e Maqedonisë atëherë kjo qasje është e gabuar dhe asnjëherë nuk do të ketë mundësi që të arrihet kompromis, por unë besoj se do të ketë lëvizje pozitive në këtë drejtim.”- theksoi Sefer Selimi – ekspert politik.
Partitë serioze në çaste të rëndësishme siç janë këto për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë nuk i qasen këtyre negociatave me idenë që të mos arrijnë deri në një marrëveshje, vlerëson Selimi i cili me këto lëvizje e sheh të kryer çështjen e ndryshimeve kushtetuese.
