Koalicioni VLEN është i kënaqur nga negociatat për përbërjen e re qeveritare.
“Kaluam shkëlqyeshëm. Mbaruam një cikël që është shumë i rëndësishëm për ne”, tha Visar Ganiu, VLEN.
Ganiu ishte pjesë e ekipit negociues dhe konfirmoi se do të formohet Ministri për çështje europiane në kryen e së cilës do të jetë Admirim Aliti nga VLEN. Ganiu nuk deshi të zbulojë detaje për marrëveshjet për eshalonin e tretë.
“Do t’ju informojmë për të gjitha postet e drejtorëve që janë shpërndarë, por për këtë moment mund të konfirmoj se, po, Sekretariati për çështje europiane transformohet në Ministri”, pohoi Visar Ganiu, VLEN.
Jozyrtarisht, në duart e VLEN-it do të jenë MEPSO, Agjencia për Inteligjencë Financiare, Agjencia për Investime të Huaja, për Burime Energjetike, Posta e Maqedonisë, Filarmonia, si dhe institucione të tjera shtetërore. Sipas informacioneve, sa u përket ministrive, Izet Mexhiti duhet të jetë ministër i Ekologjisë, Arben Taravari për Shëndetësinë dhe Besar Durmishi do të jetë ministër i ri i Ekonomisë dhe Punës. Fatmir Limani pritet të jetë ministër i ri i politikës sociale dhe Bujare Abazi ministre pa portofol për qeverisjen e mirë. VMRO-DPMNE ende i mban të fshehtë emrat e propozimeve të tyre për ministra.
“Nga sot fillojnë konsultimet brendapartiake dhe në koalicionet në lidhje me propozimet për anëtarët e qeverisë”, pohoi Hristijan Micksoki, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga ajo që mësojmë, është e sigurt se Timço Mucunski do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gordana Koçovska Dimitrievska me Ministrinë e Financave dhe Stefan Andonovski me Ministrinë e sapoformuar të Digjitalizimit. Sanja Bozhinovska përmendet si ministre e Energetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Cvetan Tripunovski si ministër i Bujqësisë, Borko Ristovski si ministër i Sportit.
Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Administratës do t’i takojnë partisë “ZNAM” të Maksim Dimitrievskit.
