Vendimi i ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, për t’u tërhequr nga të gjitha funksionet në Aleancën për Shqiptarët, sipas VLEN është një tregues i qartë se në koalicionin AKI po ndodh kolaps. Sipas komunikatës së VLEN, rënia e AKI-së tregon se “kulla 20-vjeçare e mashtrimit po shembet gur pas guri”.
“Ajo që po ndodh sot në skenën politike shqiptare nuk është dorëheqje, është rrëzim. Është shembja e një ndërtese të ngritur me mashtrime, improvizime dhe lojëra pas shpinës së qytetarëve. Me tërheqjen e Krenar Llogës, pas largimit të Menduh Thaçit, pas panikut në BDI dhe heshtjes tre–kokëshe Ahmeti–Taravari–Sela tash e tetë ditë, është bërë krejtësisht e qartë: AKI nuk ekziston më. Është shuar, tretur dhe mbetur vetëm si një hije e vetvetes”, thotë VLEN.
Kur u pyet për atë që po ndodh në koalicion pas largimit të Llogës, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, tha se ky ishte vendim i tij personal. Për komentet e VLEN se ata po shkojnë drejt kolapsit, Ademi tha se ata janë “Frankenstein politik” i kryeministrit Mickoski.
“Ky është zhvillim i brendshëm në Aleancën për Shqiptarët. Sigurisht, është akt personal i zotit Lloga dhe padyshim që për arsyet duhet të drejtohemi tek ai, edhe pse ai e bëri publik vendimin e tij për t’u tërhequr nga Aleanca për Shqiptarët. Nuk ia vlen të merremi me VLEN, duke pasur parasysh se ata janë marioneta të kryeministrit Mickoski dhe Frankenstein politik i tij, deklaroi Arbër Ademi.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, shpalli dorëheqjen e tij nga Aleanca për Shqiptarët në rrjetet sociale. Ai tha se si nënkryetar i partisë kishte respektuar mbështetjen, por kishte vendosur të vazhdojë rrugën e tij në një mënyrë më të lirë dhe të pavarur.
