Muaji gusht, me temperaturat e larta gjatë ditës dhe mbrëmje të freskëta, ka sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve me të vjella, diarre, temperaturë dhe lodhje të përgjithshme.
Mjeku Sedat Lumani thonë se bëhet fjalë për një infeksion viral që prek sistemin tretës te të gjitha grupmoshat. Më të rrezikuarit janë të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar.
“Tani kemi net të ftohta, mund të them se në disa vende bie temperatura nën 10 gradë ndërsa temperaturë e ditës është mbi 30 gradë. Ky ndryshim i këtillë zgjon sistemin imunologjik të organizmit që është i përcjell me një rrjedhje të hundëve, kollitje, teshtitje, kollë, dhimbje të muskujve, plogështi, të gjitha këto simptoma janë përafërsisht të barabarta me sëmundje virale të ndryshme ose bakteriale”, tha mjeku Sedat Lumani.
Këto simptoma mund të jenë edhe Covid-19, sepse virusi korona ka evoluar dhe shfaqet me simptoma të ngjashme me virozat gastrointestinale, shpjegon Lumani. Ndërkaq nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se në muajin korrik ka pasur 27 raste pozitive.
“Kohën e fundit kemi të bëjmë me një numër të vogël të rritur me infeksione të sistemit të sipërm të frymëmarrjes por jo rastësisht duhet të cekim se kemi edhe raste të reja me koronë”, shtoi mjeku Sedat Lumani.
Nëse keni simptoma të rënda dhe nuk ju kalojnë për disa ditë, duhet patjetër të vizitoni mjekun, sepse komplikimet janë shumë më të mëdha.
“Komplikimet e gushtit mund të shkaktojnë infeksione të sistemit të sipërm të frymëmarrjes, që jo rrallë herë lëshohen edhe në sistemin e poshtëm të frymëmarrjes si bronkite, bronkopneumoni, pleurite dhe komplikime të tjera”, u shpreh mjeku Sedat Lumani..
Edhe pse në shumicën e rasteve ky virus kalon brenda pak ditësh pa komplikime serioze, autoritetet paralajmërojnë që gushti është muaj “kritik” për përhapjen e infeksioneve gastrointestinale. Kujdesi dhe higjiena personale mbeten mbrojtja më e mirë.
