Dhimbje lukthi, barkqitje dhe të vjella janë simptomat prej të cilave po ankojnë shumë qytetarë e që kanë bërë të mbushen ambulancat dhe spitalet. Këto janë simptoma tipike për rotavirusin thotë mjeku Sedat Lumani, i cili shton se në këtë periudhë nuk është e zakonshme të paraqitet ky virus, por thotë se virusi nuk zgjedh sezon. Simptomat zgjasin deri në dy ditë, ndërsa arsye mund të jenë konsumimi i produkteve ushqimore me afat të skaduar si dhe teprimi me ushqim gjatë festës së Bajramit, marrë parasysh agjërimin, shton ai.
“Ishte edhe koha e agjërimit Ramazani edhe simptomat post-covid të cilat mund ta atakojnë edhe sistemin gastrointestinal, por në përgjithësi unë mendoj se ka edhe abuzime me etiketimet e ushqimeve, materieve ushqyese që i marrim nëpër shitore të ndryshme që ju ndërrohet skadimi i afatit, që mund të kontaminohet dhe përcillet. Përndryshe momentalisht ka pasur rritje bukur të mire të rasteve me simptoma gastrointestinale, me të vjella, dhimbje barku, barkqitje“, theksoi Sedat Lumani, mjek i përgjithshëm.
Mjeku Lumani apelon te qytetarët që të përkujdesen për higjienën personale dhe pastrimin e mirë të ushqimit që konsumojmë, meqë siç thotë vetëm kështu mund të mbrohemi nga çdo virus dhe sëmundje bakteriale.
“Higjiena çdo herë duhet të jetë në nivel, sidomos higjiena e materieve ushqyese, tani kemi pemë dhe perime që dalin. Janë të kontaminuara me shumë lloj pesticidesh, insekticidesh, mikroorganizma të cilat për fat të keq janë bërë rezistentë në të gjitha materiet antisepticide që janë dhe që mund t’i konsumojme e që mund të na shkaktojnë ndonjë infeksion”, pohoi Sedat Lumani, mjek i përgjithshëm.
Ndryshe para dy ditësh nga Ndihma e Shpejtë në Tetovë njoftuan se në 24 orët e fundit, që korespondon me ditën e parë të festës së Bajramit, në rajonin e Pollogut 152 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ndërkaq nga ky institucion theksojnë se zakonisht qytetarët janë ankuar për dhimbe në lukth.
