Virozat kanë mbushur pediatrinë e Kërçovës/ 100 kontrolle në ditë, 200 të hospitalizuar për një muaj

TË FUNDIT

Nga 100 fëmijë në ditë janë paraqitur në Pediatrinë e Kërçovës gjatë kësaj periudhe virozësh, ndërsa për një muaj janë hospitalizuar 200 në këtë repart që punon vetëm me tre pediatër me nga 3 turne. Shefi i pediatrisë në Kërçovë Nexhat Ballazhi thotë se kjo valë erdhi si pasoj e rënies së imunitet tek fëmijët pas dy viteve izolim nga virusi korona.

“Kjo situatë ndodh për shkak se dy vite më parë fëmijët ishin të izoluar kur ishte kohë korone nuk shkonin në shkollë sepse punohej online dhe fëmijët e vegjël ishin të izoluar ne kishim shumë pak kontrolle në atë periudhë por edhe mjekët amë dhe punohej më tepër me telefon, tani i kapi të papërgatitur, me imunitet më të dobët dhe virozë, si virozë i kap më tepër fëmijët dhe ne kishim shumë punë”- deklaroi Nexhat Ballazhi, specialist pediatër.

Para dy javësh janë bërë deri në 100 kontrolle në ditë tregon Ballazhi, ndërsa në ditë janë hospitalizuar nga 15 fëmijë.

“Kur ishte vala kemi pasur nga 10 deri në 15 fëmijë në ditë të hospitalizuar, ndërsa brenda muajit kemi pas edhe 100 deri në 200 të hospitalizuar por tash vala ka filluar të bie, por ende nuk jemi të sigurt sepse tash filloi edhe viti shkollor nuk dimë se çfarë mund të ndodhë sepse fëmijët do të jenë në kontakt me njëri-tjetrin por edhe çerdhet do të funksionojnë”-pohoi Nexhat Ballazhi, specialist pediatër.

Ballazhi thotë se kanë pasur edhe pacientë nga Ohri, pasi atje pediatria është mbyllur për shkak të mungesës së pediatërve dhe funksionon vetëm si qendër ditore. Sa i takon mungesë së personelit në Kërçovë, situata është e njëjtë. Kur vala e virozave arriti kulmin, kanë punuar me vetëm dy pediatër.

“Për fat të keq kemi vetëm një në specializim tani ka filluar para një muaji, ne këtu në repart jemi 3 pediatër, unë dhe dy mjeke pediatre, ndërsa për kujdestari na ndihmon edhe doktor Xhabir Bjarami, specialist pediatër që momentalisht është drejtor i shtëpisë së shëndetit”- tha Nexhat Ballazhi, specialist pediatër.

Ballazhi shpreson që pediatria e Kërçovës të mos e ketë fatin e asaj të Ohrit. Ndryshe simptomat më të shpeshta tek fëmijët kanë qenë kollitje, temperaturë, me bronkite dhe pneumoni.