Veting jo, por do të ketë pastrim të gjykatësve! Mbi 300 familje “kanë pësuar” nga regjimi i Gruevskit

TË FUNDIT

Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq në emisionin e mbrëmshëm të Klik Plus, në TV21 tha se Qeveria në asnjë shtet nuk sjell vendime gjyqësore, ndërsa diagnozat janë tashmë të qarta.

 “Mendimi im është se pjesa më e madhe e gjykatësve janë profesional dhe e dinë punën e tyre. Por jo të gjithë e kryejnë punën ashtu siç duhet. Gjithashtu mendoj se ekziston një pjesë e gjyqësorit, që është përmendur edhe në raportin e Pribe-së që para 5 viteve, ku ekzistojnë elemente që janë në lidhje të drejtpërdrejtë me politikanët apo strukturat policore”, theksoi Bojan Mariçiq – Ministër i Drejtësisë.

Ai nuk pajtohet me komentet se nuk është bërë asgjë në gjyqësor dhe shtoi se nuk do të ketë veting por vetëm pastrim të gjykatësve.

 “Në këto tre vite i filluam proceset dhe mendoj se nuk është e ndershme të thuhet se s’është bërë asgjë. Mendoj se kishim situatë kur gjyqësori ishte i robëruar, dhe në kohë të fundit u lirua. Të mos harrojmë se kryetar i Gjykatës supreme deri para pak kohe ishte pjesë e aktorëve kyç të shtetit të kapur, të mos harrojmë kush ishte kryetar i Gjykatës penale deri para pak kohe, i cili gjithashtu ishte pjesë e atij sistemi”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Mariçiq theksoi se ka mirëkuptim të plotë për të gjithë familjet që kanë “pësuar” nga regjimi i ish kryeministrit Gruevski. Bëhet fjalë për 300 familje që kanë pasur trauma të ndryshme.

 “Andaj bisedojmë për Ligjin dhe mund të gjejmë zgjidhje. Në mënyrë definitive jemi në të njëjtën anë. Kriteret janë të rëndësishme posaçërisht në atë se si t’i përfshijmë të gjithë ata që me të vërtetë kanë qenë viktima. Të mos shkojmë me definimin më të gjer të kritereve që mund të jenë bazë, jashtë asaj që tashmë është bazë2, potencoi Bojan Mariçiq – Ministër i Drejtësisë.

Mariçiq është i bindur se drejtësia mund të përmirësohet në këtë mandat të Qeverisë. Duke folur për rastet e PPS, shtoi se të gjithë do të kenë epilog juridik pa marrëveshje politike.