“Vetë burrë e vetë grua”, Dushanka kërkon ndihmë, rrezikojnë të mbesin në rrugë

TË FUNDIT

“Edhe unë dua që djali im të punojë dhe të jetojmë si të gjithë të tjerët, ndjehem shumë keq dhe jeta është shumë e rënd për ne”, shprehet Dushanka Nikollovski.

Kjo është Dushanka nga fshati Radibush, komuna e Rankocit.

Ajo kujdeset për djalin e saj 27 vjeçar i cili është me nevoja të posaçme.

Ai nuk mund të punojë, e Dushanka thotë se prej vitit 2010 kur ndërroi jetë bashkëshorti, është bërë vetë burrë e vetë grua.

“Si nuk është e rëndë të kujdesesh edhe për punët e burrit edhe të gruas.
Fëmija nuk është i aftë për asgjë, t’i mendosh edhe punët e burrit edhe të gruas nuk mundem më, edhe e sëmurë, nuk shoh mirë, nuk mund t’i blej as ilaçet, nuk ka kush të më ndihmojë”, shprehet më tej ajo.

Dushanka dhe i biri 27-vjeçar jetojnë në një shtëpi të vjetër, pa kushtet elementare për jetë, pa tualet, pa ujë brenda, e gjithçka tjetër mungon në këtë shtëpi. Shpesh herë kjo familje ka hallin edhe të sigurojë ushqim.

“Ushqim kur kam para, blej ndonjë gjë kur nuk kam vazhdojmë ashtu çfarë të bëjmë”.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto halle, djalit të Dushankës i ndalet edhe ndihma shtesë që i takonte.

“Djali merrte ndihmë shtesë në të holla, por pastaj nuk i mbushte kriteret për shkak të moshës pastaj përsëri i bëra dokumentet tani nuk e di a do ketë a jo”, thotë Dushanka.

Edhe shtëpia e vjetër në të cilën jetojnë, nuk është e tyre, por këtu rrinë me qira. Paguajnë 500 denarë në muaj. Dushanka thotë se i zoti i shtëpisë i ka thënë që ta lëshojë shtëpinë sa më shpejt, e kjo e mban me frikën se do të mbetet edhe pa këtë strehë. Ndihmë sociale merr vetëm 6 mijë denarë në muaj.

Nr.telefonit: 071 859 225