Shpella nënujore “Vrello”, e vendosur në kanionin e Matkës, është bërë shpella nënujore më e thellë e eksploruar në botë, pasi një ekip ndërkombëtar zhytësish speleologjikë arriti thellësinë rekord prej 338 metrash gjatë ekspeditës “Vrello 2026”. Me këtë arritje janë vendosur tre rekorde botërore, ndërsa shpella ka kaluar në vendin e parë në renditjen botërore, duke lënë pas Font Estramar në Francë dhe Elefante Bianco në Itali, shkruan MIA.mk, përcjell TV21.
Sipas njoftimit të Klubit të Zhytjes Speleologjike “Vrello”, nga data 10 deri më 17 tetor, një ekip ndërkombëtar prej 15 zhytësish nga .Maqedonia e Veriut, Polonia dhe Italia arriti të eksplorojë shpellën deri në thellësinë rekord prej 338 metrash. Kjo është 51 metra më shumë se thellësia prej 287 metrash, e cila ishte arritur më parë.
Me këtë sukses janë vendosur rekorde botërore në tri kategori: shpella më e thellë e eksploruar nga njeriu, zhytja më e thellë në shpellë dhe zhytja më e thellë në ujëra të hapura.
Përveç arritjes së thellësisë së re, gjatë ekspeditës janë zbuluar edhe dy kanale nënujore të panjohura deri më tani, duke zgjeruar ndjeshëm hartën e sistemit të shpellës. Në total, janë eksploruar më shumë se 150 metra të rinj kanalesh, të cilët kontribuojnë në njohjen më të mirë të sistemit kompleks nënujor të Vrellos.
Kanali i parë i zbuluar ndodhet rreth 300 metra nga hyrja e shpellës, në një thellësi prej 33 metrash, dhe është afërsisht 100 metra i gjatë. Ai përfundon në një thellësi prej 10 metrash dhe lidhet me degën e fundit të eksploruar në vitin 2000. Kanali i dytë është zbuluar në një thellësi prej 170 metrash, ka një gjatësi prej 30 metrash dhe lidhet me kanalin kryesor në një thellësi prej 185 metrash.

“Gjatë ekspeditës, përveç eksplorimit të thellësisë së shpellës, ekipet e zhytësve nga Polonia dhe Maqedonia zbuluan edhe dy kanale të reja, të cilat ndryshuan hartën e shpellës dhe gjatësinë e saj totale. Në speleologji, gjatësia e një shpelle llogaritet duke përfshirë të gjitha kanalet. Përveç 51 metrave të rinj të arritur në thellësi, nga 287 në 338 metra, gjatësia totale e kanaleve të reja të eksploruara gjatë kësaj ekspedite është më shumë se 100 metra, duke e çuar në mbi 150 metra gjatësinë e pjesëve të reja të eksploruara të shpellës”, bëjnë të ditur nga Klubi i Zhytjes Speleologjike “Vrello”.
Sipas klubit, zbulimi i kanaleve të reja ka rëndësi të veçantë për shkak të kompleksitetit të sistemit të përgjithshëm nënujor të shpellës.
Zhytjen rekord e realizoi zhytësi speleologjik polak Bartlomiej Pitala, ndërsa i gjithë operacioni zgjati nëntë orë. Kthimi i tij i sigurt u monitorua nga 12 zhytës të sigurisë, të pozicionuar në thellësi të ndryshme brenda shpellës. Në sipërfaqe, një ekip koordinues siguroi mbështetje mjekësore dhe operacionale për të gjithë procesin.
“Zhytja përfundimtare, gjatë së cilës u arrit rekordi në shpellë, zgjati nëntë orë dhe ishte planifikuar e organizuar me kujdes. Operacioni u monitorua nga 12 zhytës, të cilët ishin vendosur në kohë të ndryshme, në lokacione dhe thellësi të ndryshme, si zhytës të sigurisë, duke ndjekur daljen e sigurt të Bartlomiej Pitalës”, thuhet në njoftimin e klubit.
Sipas tyre, ekipi i zhytësve dhe ekipet e ndihmës së parë u koordinuan nga mbështetja në sipërfaqe. Gjatë nëntë orëve të operacionit, në gatishmëri ishin dhoma hiperbarike me personel të specializuar për trajtimin e sëmundjes së dekompresionit, njësia e helikopterëve e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ekipet e zhytjes së njësisë speciale “Tigri”, të pajisura me skafe dhe automjete të specializuara për transport, si dhe një automjet i Ndihmës së Shpejtë.
Rezultatet e ekspeditës “Vrello 2026”, gjatë së cilës u arritën tre rekorde të reja botërore në shpellën nënujore të Matkës, do të prezantohen nesër në një konferencë për media.
Për herë të parë, ekipi maqedonas ndërtoi një dhomë ajrore nënujore
Një tjetër arritje e rëndësishme e ekspeditës ishte ndërtimi dhe vendosja, për herë të parë nga ekipi maqedonas, e një dhome ajrore nënujore, e njohur si habitat. Ajo u vendos në një thellësi prej 8 deri në 9 metrash, rreth 130 metra nga hyrja e shpellës.
Dhoma shërben si hapësirë ku zhytësit mund të qëndrojnë gjatë procedurave të gjata të dekompresionit, të cilat janë të domosdoshme gjatë zhytjeve në thellësi të mëdha.
“Për nevojat e ekspeditës, për herë të parë ekipi maqedonas i Klubit të Zhytjes Speleologjike ‘Vrello’ ndërtoi në mënyrë të pavarur një dhomë ajrore, e transportoi, e siguroi dhe e vendosi në një lokacion rreth 130 metra nga hyrja e shpellës, në një thellësi prej 8 deri në 9 metrash. Dhoma u shënua edhe me flamurin maqedonas”, njoftojnë nga klubi.
Përveç kësaj, në rreth dhjetë lokacione dhe thellësi të ndryshme brenda shpellës u vendosën më shumë se 30 bombola me përzierje të ndryshme gazrash, të nevojshme për përfundimin e sigurt të procedurave të dekompresionit. Në disa pika u vendosën edhe bateri rezervë për sistemet e ngrohjes dhe ndriçimit.
Deri më tani, Vrello renditej si shpella e tretë nënujore më e thellë e eksploruar në botë, me një thellësi prej 287 metrash. Me thellësinë e re prej 338 metrash, shpella në kanionin e Matkës ka kaluar në vendin e parë në renditjen botërore, përpara Font Estramar në Francë, me 312 metra, dhe Elefante Bianco në Itali, me 292 metra.
