Pacientët presin deri në tre muaj për një termin për mamografi. Pandemia me virusin korona ka çrregulluar terminet për shumë kontrolle, përfshirë këtu edhe vizitat për kancerin e gjirit. Si pasojë, pacientet janë detyruar që t’u drejtohen dyerve të klinikave private dhe të paguajnë shumë më shtrenjtë, thotë Biba Dodeva kryetare e shoqatës për luftën kundër kancerit “Borka”.
“Ne edhe në kushte normale kemi vonesa, për le të themi ndonjë termin që duhet të jetë më i shkurt. Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë, të shkurtohen rrugët, të mundësohet që gratë të mos presin, pa marrë parasysh a është kohë e Covidit apo nuk është koha me Covid dhe t’i mundësohet diagnostikim i hershëm, posaçërisht për këtë lloj kanceri. Problemi është se gratë janë detyruar nga mungesa e termineve në shëndetin publik, që të shkojnë në privat”, tha Biba Dodeva – kryetare e “Borka”.
Nga ana tjetër zonja e parë Elizabeta Gjorgievska Pendarovska apelon te gratë dhe të gjithë pacientët me sëmundje malinje që të vaksinohen kundër Covid-19.
“Është tejet me rëndësi që personat që i përkasin grupeve në rrezik, e këto janë personat me sëmundje malinje, ku bëjnë pjesë edhe gratë me kancer të gjirit, të vaksinohen. Për këtë arsye unë do të apeloj që të gjithë që kanë mundësi, me rekomandim të mjekut amë të vaksinohen”, tha Elizabeta Gjorgievska Pendarovska – zonja e parë.
Muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit u shënua në hapësirën e “Ramstore Mall” – Shkup.
“Ramstore Maqedoni” është kompani me përgjegjësi sociale, kompani që numëron 60% femra. Me shënimin e kësaj dite ne duam që të japim përkrahje te të gjithë, që në njëfarë forme kanë pasur përvojë me kancerin e gjirit dhe ta ngremë vetëdijen për zbulim të hershëm dhe ndërmarrje të masave parandaluese, sepse shëndeti është më i rëndësishmi dhe të gjithë duhet të tregojmë solidaritet dhe mbështetje të përbashkët”, shtoi Daniella Ademovska – drejtoreshë gjeneralë e “Ramstore Mall”.
Edhe kanceri është epidemi – prandaj duhet të rritet zbulimi i hershëm dhe të fillojmë të zvogëlojmë vdekshmërinë, shpjegojnë nga shoqata “Borka”. Dodeva nga kjo shoqatë thotë se ka rënie të numrit të të diagnostikuarve, e në fakt numrat duhet të rriten, por kjo nënkupton se gratë në pandemi më pak vizitohen në mjek.
