Verica ndërroi jetë, por shpëtoi jetën e të tjerëve, përfundon me sukses transplantimi i dytë i zemrës

TË FUNDIT

Ekipi i Klinikës së Kardiokirurgjisë u përkul para trupit të Verica Bellçovskës nga fshati i Berovës, Rusinovë, pas transplantimit të zemrës që përfundoi me sukses. Në orën 3:33 mëngjesin e sotëm, në gjoksin e një djali 22-vjeçar filloi të rrahë zemra e Vericës. Ajo më datën 7 të këtij muaji ishte viktimë e një shoferi të pavetëdijshëm i cili e goditi me makinë dhe pastaj iku nga vendngjarja. Verica nuk mbijetoi, për shkak se aksidenti i shkaktoi dëmtim në tru.

“Duam të bëjmë me dije se organet duhet të dhurohen. Vendosëm ta bëjmë këtë sepse duam të shpëtojmë jetë. Nëse na duheshin neve, besoj se edhe neve do të na dilnin në ndihmë, prandaj edhe ne deshëm të ndihmojmë, sepse në këtë mënyrë do të jetojë edhe motra jonë, tha vëllai i Vericës, Martin Bellçovski.

E babai i Iles, Cvetko Strezovski është mirënjohës dhe i lumtur që u gjet zemër për djalin e tij, i cili do të vazhdojë të jetojë.

“Së pari ngushëllime për familjen e Vericës. Ajo vdiq e re. Ja djali im gjeti zemër që ishte dhuratë, me çka e vazhdoi jetën. Faleminderit Zotit u gjet donatori dhe tani po ndihem mirë. Fola me djalin, mirë po ndihet, gjithçka është në rregull”, u shpreh Cvetko Strezovski.

Ky është transplantimi i dytë i zemrës në historinë e vendit i cili është kryer në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

“Në orët e hershme të mëngjesit sot u bë transplantimi i dytë i zemrës në vendin tonë. Gjatë ditës së djeshme dhe pse u morën të gjitha masat për fat të keq nuk mundej të shpëtohet jeta e 20 vjeçares Belçevska, por familja e saj edhe pse ishte në shok, megjithatë mblodhën forcë dhe guxim dhe u pajtuan që dhurohen organet e sajë pas çka i falënderoj shumë”, u shpreh ministri Venko Filipçe.

Këtë pasdite me sukses është bërë edhe transplantimi i parë i veshkave, kurse në proces është edhe transplantimi te dy pacientë që janë në dializë në Klinikën e Urologjisë. Për herë të parë po bëhet edhe transplantimi i kockave dhe indeve kockore nga një donator i ndjerë te pacientët që kanë metastaza në disa pjesë të trupit. Kjo ndërhyrje është kryer në Klinikën për Sëmundjet Ortopedike.