Nga ky vikend në Kodrën e diellit do të mund të shkohet edhe me autobus. Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” nga sot ka vënë në dispozicion linjë të rregullt Tetovë-Kodra e Diellit dhe anasjelltas.
“Besoj se kjo do të jetë një stimulim shtesë të vizitojnë kodrën e Diellit dhe të merren me sport në sezonin dimëror, për ata që e duan skijimin por edhe në sezonin veror, pasi që Kodra e Diellit ofron pika të rëndësishme të turizmit veror në këtë natyrë të bukur, dhe sporte të ndryshme që ofrohen. Kjo bashkë me investimet tjera si atë të trasesë së re të rrugës dhe asfaltimin e rrugës së vikend shtëpizave si dhe planin urbanistik besojmë se kodra e Diellit shdërrohet në një perlë të rëndësishme të rajonit”, tha Bilall Kasami, kryetar i Tetovës.
Drejtori i ndërmarrjes “Tetova Transport” thotë se linja do të jetë vetëm për vikend, ndërsa planifikojnë që edhe gjatë sezonit të verës të vazhdojë kjo praktikë.
“Linja do të jetë çdo të shtunë dhe të diel për të gjithë ata që dua të vizitojnë bukuritë e Kodrës së Diellit dhe gjithashtu planifikojmë që këtë ta realizojmë edhe sezonin e verës”, u shpreh Arben Ajdini, drejtor i NPTT.
Çmimi për person për biletë vajtje-ardhje, Tetovë-Kodra e Diellit-Tetovë do të kushtojë 200 denarë.
Kjo pritet që të reduktojë problemin me parkingun, pasi gjatë vikendeve kolonat e veturave arrijnë deri në 4 km.
