Një grup hakerësh ka sulmuar sistemin kompjuterik të administratës së Berlinit dhe pretendon se ka vjedhur rreth 5.7 terabajt të dhëna. Grupi “Rhysida” kërkon rreth 2 milionë euro ose 30 bitcoin, ndërsa të dhënat janë nxjerrë në shitje në “dark web”.
Autoritetet gjermane paralajmërojnë se të dhënat, përfshirë informacione personale sensitive, mund të publikohen ose të shiten te persona të tjerë nëse nuk blihet në ankand, i cili përfundon të premten. Sulmi ka ndodhur nga 7 deri më 12 gusht, ndërsa Berlini e bëri publik rastin më 14 gusht.
Autoritetet e konsiderojnë grupin “Rhysida” si shumë profesional dhe e lidhin me sulme të tjera në Evropë, Gjermani dhe SHBA. Nuk ka prova për lidhje me Rusinë apo shtetin rus, por kjo mundësi nuk është përjashtuar, ndërsa kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, deklaroi se qyteti nuk do t’u nënshtrohet shantazheve.
