Presidenti Stevo Pendarovski e ka përshëndetur Vendimin e Gjykatës së Strasburgut, duke thënë se të akuzuarit, e disa prej tyre edhe të dënuar, të drejtat e tyre duhet t’i kërkojnë në sistemin gjyqësor të vendit.
“Pas shpalljes së vendimit nga ana e Gjykatës Europiane për të drejtat e njeriu, presidenti e shqyrtoi atë bashkë me ekipin e këshilltarëve dhe vlerëson se të gjithë të përfshirët në këto procedura nga ana e prokurorisë dhe gjykatave në vend, duhet që të drejtat e tyre t’i realizojnë para institucioneve vendore, ashtu sic thuhet edhe në vendimin e Gjykatës së Strasburgut”, thonë nga Kabineti i presidentit.
Kjo është një fitore dhe sukses i madh i shteti dhe i sistemit të drejtësisë, komentoi kryeministri Dimitar Kovaçevski. Shton se është e rëndësishme të theksohet se, në kundërshtim me pretendimet e aplikantëve, Gjykata nuk përcaktoi shkelje të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
“Kjo është fitore e madhe dhe sukses i madh i shteti tonë. Ekipi nga Maqedonia me të vërtetë bëri maksimumin dhe fitoi në një rast jashtëzakonisht kompleks. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të pamasë për punën e tyre të përkushtuar gjatë periudhës së kaluar. Me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, i cili në këtë rast është në favor të shtetit, ankesat e aplikantëve u shpallën të papranueshme në tërësi, përfshirë edhe pjesën për faljet e pretenduara”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Ka reaguar opozitarja VMRO-DPMNE, nga ku shkruajnë se Qeveria në vend që të festojë për vendimin e Strasburgut, duhet të brengoset, sepse siç shtojnë, thelbi dhe drejtësia do të dalin në sipërfaqe, ndërsa gjykata vetëm ka konstatuar se aplikimi është dërguar më herët sesa duhet.
“Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë vendim në të cilin thotë se kërkesat e paraqitura nga aplikantët janë të parakohshme dhe nuk hyn në thelbin e kërkesave. Në vendim thuhet se nuk janë ezauruar të gjithë mekanizmat juridikë në Maqedoni. Qeveria në vend që të festojë për defokusim duhet të shqetësohet për këtë vendim, sepse thelbi dhe drejtësia një ditë do të dalin në shesh”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Për ASH-në, vendimi i Gjykatës së Strasburgut, është një fitore e madhe e shpresës për drejtësi në vendin tonë.
“Ky vendim forcon edhe më shumë vendosmërinë tonë, në betejën kundër krimit dhe padrejtësisë, rikthen shpresën te qytetarët dhe godet rëndë të gjithë ata që kanë shpresuar dhe tentuar të bëjnë pazare me drejtësinë në interes të kriminelëve dhe të korruptuarve. Qytetarët dhe opinioni vendor duhet të jetë i përgatitur edhe për reagimin e strukturave dhe individëve që janë goditur dhe tanimë po rrezikohen nga vendimi dhe nga beteja jonë për drejtësi”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Me abolimin e Ivanovit ishin përfshirë 54 persona nga lëndët e PSP-së. Në mesin e tyre shumica ishin funksionarë të VMRO-DPMNE-së, mirëpo, një veprim i tillë i ish-presidentit shkaktoi reagime të ashpra brenda dhe jashtë vendit, e madje u mbajtën dhe protesta. Pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për Falje, Ivanovi i tërhoqi abolimet.
