Vendime politike apo epidemiologjike?! E analizojmë gjendjen para dhe pas shfuqizimit të orës policore

TË FUNDIT

Para 65 ditëve për herë të parë ishte shpallur ora policore në të gjithë territorin e vendit. Numri i të infektuarve të rinj nga koronavirusi aso kohe lëvizej nga 5 deri në 29 raste në ditë.

-“Morëm vendim për vendosje të masave më radikale me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve nga koronavirusi. Prej nesër fillon kufizimi i lëvizjes për të gjithë qytetarët, respektivisht fillon ora policore”, tha kryeministri teknik i RMV-së Oliver Spasovski.

Javën e fundit, numri i rasteve të reja lëvizet nga 16 deri në 40. Por, Qeveria e shfuqizoi orën policore.

-“Sipas analizave dhe rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, mund të konstatojmë se mbi bazë të kushteve të caktuara që janë plotësuar, mbi bazë të analizave dhe rekomandimeve, Qeveria solli vendim për ndërprerje të masave restriktive. Prej nesër, 27 maj, tërësisht ndërpritet vendimi për ndalesë dhe regjim të posaçëm për lëvizje në të gjithë territorin”, tha kryeministri teknik i RMV-së.

Por, mbi bazë të cilave analiza dhe numra është marrë ky vendim? TV21 i analizoi shifrat në 7 ditët e fundit para se të merret vendim për orë policore dhe para shfuqizimit të së njëjtës.

Me ngjyrë të kaltër është shënuar numri i të prekurve 7 ditë para shpalljes së orës policore. Aso kohe ka pasur nga 5 deri në 29 raste të reja. Me ngjyrë të kuqe është shënuar numri i të infektuarve të rinj javën e fundit, para se të hiqet ora policore. Kështu që, mund të shihet se numri është dyfish, në disa ditë edhe trefish më i lartë. Ka pasur nga 16 deri në 40 raste të regjistruar.   

-“Normal se kemi arritur ta zbusim, nuk kemi rritje të madhe të rasteve, mesatarisht kemi nga 30 deri në 40 të infektuar të rinj në këto 5-6 javë të cilat janë kyçe. E kemi pritur numrin më të lartë dhe e regjistruam atë”, tha epidemiologu, Vlladimir Mikiq.

Kjo deklaratë e epidemiologut Mikiq, është dhënë më 12 prill, 3 ditë para kulmit të epidemisë, kur në një ditë ishin regjistruar bile 107 të infektuar. -“Një nga faktorët që na shtyri të mendojmë për lehtësim të këtyre masave në fazën e parë, të dytë dhe të tretë, është ulja e vdekshmërisë, që ndjek tendencat evropiane dhe botërore”, tha epidemiologu Zharko Karaxhovski.

Këtë deklaratë dje e ka dhënë epidemiologu Zharko Karaxhovski, por nëse i krahasojmë të dyja deklaratat, duke përfshirë numrin e infektuarve të rinj dhe personave të vdekur, mund të konkludojmë se numri i atyre që kanë ndërruar jetë sërish është në rritje, njëjtë sikur numri i të prekurve të rinj gjatë javës së fundit.

Mbetet e paqartë – përse Qeveria, edhe përkundër këtyre numrave vendosi ta shfuqizojë orën policore, pasi paraprakisht kjo ishte kërkesa edhe e Komisioni për Sëmundje Ngjitëse? Gjatë ditës së djeshme, ishte dërguar edhe demant nga ana e Komisionit, ku thuhet se ata nuk kanë kërkuar lehtësim të tërësishëm të masave, pasi paraprakisht ishte publikuar se ora policore hiqet për shkak se nuk respektohet.