Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se përmbysja e regjimit iranian është një nga objektivat e Izraelit, duke bërë të ditur se për këtë qëllim ka dhënë urdhër për ushtrinë, Mossadin dhe shërbimet e sigurisë.
Deklarata u bë gjatë një ceremonie diplomimi për oficerët e rinj të ushtrisë izraelite, të mbajtur të mërkurën, më 21 tetor, në akademinë ushtarake Bahad 1, në jug të vendit.
Netanyahu akuzoi Iranin se po përpiqet të rifillojë programin për zhvillimin e armëve bërthamore, pavarësisht operacioneve të mëparshme ushtarake kundër tij.
Sipas kryeministrit izraelit, udhëheqja iraniane nuk ka hequr dorë nga ambiciet bërthamore. Ai akuzoi gjithashtu Mojtaba Khamenein se po ndjek rrugën e të atit në drejtimin e Iranit.
“Regjimi iranian ende nuk e ka nxjerrë mësimin. Mojtaba Khamenei ka vendosur të ndjekë gjurmët e babait të tij. Irani po përpiqet të zhvillojë përsëri armët e tij të vdekjes”, deklaroi Netanyahu.
Ai theksoi se, sipas qëndrimit të tij, për t’i dhënë fund kërcënimit që paraqet Irani, është i nevojshëm ndryshimi i regjimit në Teheran.
“Ekziston vetëm një mënyrë për ta eliminuar këtë kërcënim një herë e përgjithmonë: përmbysja e regjimit në Iran. Dhe ky është urdhri im për ushtrinë izraelite, Mossadin dhe shërbimet e sigurisë”, u shpreh kryeministri izraelit.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se Irani do të përballet me një kundërpërgjigje të ashpër nëse sulmon Izraelin.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh mes dy vendeve, ndërsa programi bërthamor iranian dhe përplasjet mes Teheranit dhe Tel Avivit vazhdojnë të mbeten çështje kyçe për sigurinë në rajon.
