Meteorologët njofotjnë se fazë e verdhë ka kapluar tërë territorin e Maqedonisë së Veriut. Temperaturat sot arritën deri në 38 gradë dhe indeks UV 9. Në Shkup dhe rrethinë, mbizotëron moti i ngjashëm me temperatura 36 gradë celcius. Punonjësit shëndetësorë porosisin që qytetarët të evitojnë ekspozimi direkt në diell, sidomos prej orës 11 deri në 17. Edhe nesër na pret mot i ngjashëm me diell me temperatura prej 28 deri 36 gradë, në Shkup edhe nesër temperatura do të arrijë 36 gradë celcius.
“Në Republikë, në orët e pasditës moti është kryesisht me diell, në 2-3 orët e fundit ka paraqitje të bubullimave në pjesën verilindore. Në rajonin e Kriva Pallankës moti është jostabil, me bubullima dhe reshje të rrëmbyeshme të shiut. Temperaturat janë të larta sot, temperatura në mesditë ka qenë 36 gradë në Gjevgjeli. Sot tëmperaturat do të jenë nga 31 deri 38 gradë. Në Shkup temperatura do të arrijë deri në 36 gradë”, u shpreh Boris Sekiraski nga Enti për Punë Hidrometeorologjike.
Sot u hap sezoni i ri veror në Aqua Park, në kuadër të QS “Boris Trajkovski” në Shkup. Shumë qytetarë kishin vendosur që të mbrohen nga rrezet e nxehta të diellit duke vizituar këtë pishinë. Në çdo kënd kishte shpëtimtarë, të Kryqit të Kuq. Ata përkujdeseshin që rekreacioni të mos përfundojë më ndonjë incident.
“Përafërsisht kemi rreth 15-16 shpëtimtarë në ndërrim, me qëllim sigurinë në Aqua Parkun e Shkupit. Fëmijët dëgjojnë më shumë për dallim nga të rriturit në Aqua Park”, theksoi Pançe Ignov, shpëtimtar në Aqua Park.
Kryqi i kuq i Shkupit, ka dalë në terren dhe po zhvillon aksion ndihmës. Ato shpërndajnë ujë dhe fletushka me rekomandime se si qytetarët të mbrohen nga valët e nxehta. Aktivistët më të pranishëm janë nëpër tregje dhe stacione të autobusave.
“Kryqi i Kuq shpërndan ujë në pikat më frekuente të Qytetit të Shkupit, ato janë pikat e stacioneve dhe tregjet. Deri tash janë të shpërndara diku 1500 shishe ujë, gjegjësisht 750 litra. Aksioni do të vazhdon varësisht prej situatës dhe kohës”, deklaroi Argjend Çilafi nga Kryqi I Kuq I Qytetit të Shkupit.
Edhe Agjencia për ushqim dhe veterinari doli me rekomandime për konsumim të sigurt të ushqimit që të parandalohet dukuria e helmimit nga ushqimi dhe infeksionet e stomakut. Sa i përket temperaturave, mot i ngjashëm me temperatura pak më të ulëta na pret edhe në fundjavë.
Përgatiti: Almedina Ismajli
