Vëllai i Liridonës: Shpresoj që institucionet do të na lejojnë ta kthejmë motrën aty ku e ka vendin

TË FUNDIT

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademaj Murseli ka kërkuar vendosje të drejtësisë për vrasjen e motrës së tij.

Ai ka bërë thirrje që kryesit e këtij akti të ndëshkohen.

“Liridona ka qenë grua e fortë dhe pozitive, nënë e përkushtuar dhe familjare e dashur.
Atë na e morën kriminelët dhe krejt çfarë duam ne është drejtësi.Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet.”, ka shkruar ndër tjerash Ademaj në Facebook

Ai gjithashtu ka kërkuar nga institucionet që ta lejojnë rivarrosjen e të ndjerës, në fshatin e saj të lindjes.

“Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonen ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj.”, ka përfunduar Ademaj.

Liridona Ademaj, është varrosur të premten  në fshatin e bashkëshortit të saj, Naim Murselit, në Cërmjan të Gjakovës. Por, pas arrestimit të Naim Murselit I cili po dyshohet se ka porositur vrasjen e së shoqes, familja Ademaj ka kërkuar që e ndjera të varroset në fshatin e tyre në Rracaj të Gjakovës./21Media