Me një ceremoni është vënë gurëthemeli i shtatores së dëshmorit të UÇK-së, Sadik Bega, në 16 vjetorin e rënies së tij heroike. Në aktin e vënies së gurëthemelit, bashkëluftëtarë të tij kanë thënë se kujtimi për dëshmorët nuk do të shuhet asnjëherë, ndërsa monumentet e këtilla do të jenë frymëzuese për gjeneratat e reja, për ta dashur vendin dhe punuar për lirinë dhe paqen e tij.
Njëri nga komandantët e shquar të UÇK-së, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica ka thënë se akti i vënies së gurthemelit të kësaj shtatore ngërthen emocione të veçanta, pasi bëhet fjalë për bashkëluftëtarin me të cilin kanë marrë pjesë në beteja për liri, duke rrugëtuar drejt lirisë dhe arritjes së idealit suprem.
Para vënies së gurëthemelit, në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj, janë bërë homazhe si dhe janë vendosur lule në varret e të rënëve për liri.
