-Kjo ka qenë “Kosta Brasheviq”?
-Po kjo ka qenë Kosta Brasheviq, tash është LPK. E kam edhe në letërnjoftim. Tash edhe rruga tjetër nga Pançe Nedelkovski në 5 maji
Debati rreth emërtimit të rrugëve ka vazhduar, me qëndrime të ndryshme nga përfaqësues të BDI-së dhe VLEN-it. Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka folur nga Serova, duke theksuar se rrugët në këtë lagje mbajnë emra të rëndësishëm të historisë shqiptare duke i bërë thirrje kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, të mos i lodh qytetarët me zgjidhje gjysmake.
“Këtu jemi në zemrën e Çairit, në Serovë ku kjo rrugë mbanë emrin e Lëvizjes popullore të Kosovës, themeluese të UÇK-ve në mënyrë zyrtare edhe në gjitha dokumentet e identifikimit. Prandaj i bëj thirrje z. Ahmeti mos t’i lodh qytetarët me gabimet e veta apo me zgjidhjet gjysmake që janë bërë në Tetovë”, tha Mexhiti.
Përmes një statusi në facebook nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka këmbëngulur se emërtimi i rrugëve me emra shqiptarë në Çair dhe në Shkup ishte fryt i një vendimi të Qeverisë së BDI-së në vitin 2021.
“Emërtimi i rrugëve me emrat e figurave shqiptare në Çair dhe në Qytetin e Shkupit ishte rezultat i një vendimi të Qeverisë së BDI-së në vitin 2021, në të cilën pata nderin të jem pjesë.
E them këtë sepse e njoh nga afër të gjithë procesin. Madje, e kujtoj shumë mirë se jo të gjithë deputetët e BDI-së në atë kohë ishin të interesuar, të përfshirë apo ndihmuan në këtë proces.
Prandaj, është me rëndësi që qytetarët ta dinë të vërtetën: emërtimi i rrugëve me emra shqiptarë në Çair dhe në Shkup ishte rezultat i një vendimi të Qeverisë së BDI-së”, tha Osmani.
Ky debat ka nisur pasi Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi vendimin e vitit 2007 me të cilin u bënë ndryshimet e emrave të disa rrugëve dhe sheshit të qytetit të Tetovës.
