Një djalë 12-vjeçar ndërroi jetë, kurse një fëmijë tjetër është lënduar në një incident me fishekzjarrë në Holandë. Aksidenti ka ndodhur në Haksbergen, qytet i vogël në lindje të vendit afër kufirit me Gjermaninë, derisa fëmijët shikonin një burrë duke lëshuar fishekzjarr me ndihmë të pajisjeve të përpunuara në kushte shtëpiake, raporton Gardijan.
Festa me fishekzjarr në Holandë është ndaluar për të dytën vit me radhë.
Nju Jorku festoi Vitin e Ri në Tajms Skuer, ku kishte më pak njerëz në krahasim me vitet e kaluara para pandemisë. Në Nju Jork, 15.000 njerëz, ashtu siç ishte paraparë me masat epidemiologjike, panë duke zbritur një top prej 6 tonëve i cili ishte rrethuar me thuajse 2.700 kristale. Autoritetet e qytetit kanë insistuar që festa e fundvitit të organizohet me qëllim që ta tregojnë rezistencën e qytetit edhe në kohën kur koronavirusi sërish merr hov.
Kryeqyteti i Francës, 2022-tën e priti me masa kufizuese, por edhe përkundër kësaj shumë njerëz dolën në rrugë. Kulla Eifel ishte mbuluar me ngjyrë të kaltër me yjet e BE-së, që simbolizon fillimin e presidencën franceze me BE, raportojnë mediat franceze. Shumë festime ishin anuluar edhe para Krishtlindjeve për shkak të përhapjes së llojit omikron dhe numrit të shtuar të të infektuarve. Në Paris kishin ardhur mijëra turistë të cilët kryesisht mbanin maska dhe fotografoheshin për ta shënuar fillimin e vitit të ri. Mungoi fishekzjarri tradicional, kurse koncertet e parapara ishin anuluar.
Fishekzjarrët ndriçuan qiellin mbi kishën Shën Vasilil në Kremlin. Sheshi i kuq ishte bosh për shkak të kufizimeve. Presidenti rus, Vlladimir Putin në fjalimin e tij të Vitit të Ri, tha se Rusia i mbron fort interesat e saj, duke paralajmëruar se koronavirusi nuk po tërhiqet.
Mbretëria e Bashkuar e priti vitin 2022 me një “bend” të madh dhe festa që u mbajtën në të gjithë vendin, kurse natën e fundvitit e shënoi fishekzjarri i cili në Londër rikthehet pas një pauze njëvjeçare, për shkak të pandemisë. Qielli i Londrës “shkëlqente”, kurse mijëra qytetarë e ndoqën këtë shou mbi lumin Temza. Pavarësisht numrit të madh të të infektuarve, britanikët u gëzuan dhe uruan Vitin e Ri, kurse adhuruesit e jetës së natës në Angli kishin mundësi të zbaviten dhe ta shijojnë atmosferën festive.
Greqia në 2022-tën hyri nën hije të rekordit të ri negativ sa i takon numrit të covid-rasteve – 40.560, kurse omikroni në këtë vend po përhapet shumë shpejt. Në Athinë u mbajt koncerti tradicional i cili ishte transmetuar në televizion. Fishekzjarrët u lëshuan pa prezencën e publikut, kurse këtë vit munguan edhe ngjarjet e fundvitit në pjesë të tjera të Greqisë, transmeton “Katimerini”./TV21
