“Katastrofë, rëndë është” – Qytetarët e Gostivarit flasin për vështirësitë e mungesës se ujit

TË FUNDIT

Ujë në çezma kanë, por nuk guxojnë ta pinë sepse dyshohet se është i helmuar. Kjo është situata në qytetin e Gostivarit. Të anketuar nga Televizioni 21 gjatë ditës së sotme, thonë se ujin për pije e blejnë ose e mbushin në çezmat publike të fshatrave që nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit. Sipas tyre, është e vështirë që në këto temperatura të larta të përballen me një situatë të tillë, pasi as enët në shtëpi nuk guxojnë t’i lajnë me ujin e çezmës nga frika e ndonjë helmimi.

“Katastrofë është, nuk e pimë, e blejmë. Duam apo s’duam, jo nga qejfi, por nga zori blejmë. Ujë pa para nuk ka, ujë pa para është i shtetit, por nuk mund ta pimë. Jo vetëm për ta pirë, por as enët nuk i lajmë, se po i lave, është si ta pish. Rëndë është, e blejmë, e pimë, por pastërtia nuk është si ka qenë më parë.”

“Po gjindemi, e blejmë, ka edhe donacione diku. Komunalia nuk ka qenë siç është. A ne e pimë… gruaja do të më mbytë në mbrëmje, i them ‘mos pi se kanalizim është ajo’, ajo thotë ‘jo’. Dhe kjo është që nga fillimi i muajit të gjashtë.”

“S’di, shumë keq është uji. Unë si e si nuk kam ujë, shkoj në fshat e marr me ujë të blerë, se si e si tek unë s’ka ujë, jam me bunar. Jo, jo, ujë pa para nuk ka.”

Erxhil Iseni, zëvendëskomandant i Njësisë Kundër Zjarrit në Gostivar, thotë se deri më tani janë shpërndarë mbi 25 tonë ujë, nga të cilët 12 tonë janë dhënë nga Komuna dhe 13 tonë nga donacionet.

“Për momentin deri tani janë shpërndarë diku 25 tonë ujë i pijshëm. Nga Komuna e Gostivarit kanë ardhur diku 12 tonë ujë për momentin dhe 13 tonë janë donacione nga qytetarët e nderuar të Gostivarit dhe rrethinës. Qeveria për momentin këtu në shtëpinë e zjarrfikësve nuk ka… nuk ka ardhur një litër ujë. Presim, na kanë thënë se do të sjellin për sot, ende s’ka ardhur ujë. Mendoj se në qoftë se e kanë thënë për të prurë, do të sjellin…”, tha Erxhil Iseni

Derisa institucionet kompetente nuk e konfirmojnë cilësinë e ujit, gostivarasit nuk guxojnë ta përdorin ujin nga ujësjellësin.