Vdekje klinike për aktorët, 2 muaj larg skenës teatrore shkaku i pandemisë

TË FUNDIT

Ka 2 muaj që aktorët nuk janë angazhuar në teatër, shkaku i gjendjes me pandeminë Covid-19. Në skenë, aktorët nuk mund të mbajnë distancë sociale, andaj kjo situatë i ka mbajtur ata larg aktrimit. Aktori Ylber Murtezi thotë është vdekje klinike nëse një aktor nuk angazhohet aspak brenda 3-4 muajve.

“Nuk është zgjidhje, kjo thjesht ka qenë sa për të blerë kohë, që ta informojmë publikun që jemi këtu ende dhe frymojmë. Besoj se është koha që të merr fund kjo gjendje e jashtëzakonshme. Të shohim çfarë do të vendos Qeveria për institucionet kulturore. Ideja ime e parë ishte që nëse nuk mund të funksionojmë në ambient të mbyllur të paktën të funksionojmë në ambient të hapur. Për organizmin e aktorit nëse nuk angazhohet brenda 3-4 muajve apo brenda një viti është vdekje klinike”, tha Ylber Murtezi, aktor.

Murtezi njëherit është edhe ushtrues detyre drejtor në Teatrin shqiptarë në Shkup, teatër që ende nuk ka marrë leje për hapje.

E pas dy muajve, Teatri i Tetovës nesër nis me prova skenike. Përgjatë pandemisë ata kanë zhvilluar prova online, por aktori Burhan Amiti vlerëson se shpirti i aktorit është në teatër.

“Teatri lezetin dhe shpirtin e ka në skenë. Online sa për të kaluar kohën kemi mundur të shfaqim ndonjë pjesë por kemi menduar se është shumë më e rëndësishme të vazhdojmë me prova të shfaqjes së re se sa të japim shfaqe për publikun. Kjo është e mira që na kanë ndihmuar provat sepse kemi qenë aktiv, kemi lexuar, kemi bërë analiza, e kemi pasur edhe regjisorin mbi kokë. Ne kemi lëviz dhe jemi në kondicion. Besoj që shumë shpejt do të arrijmë edhe premierë”, tha Burhan Amiti, aktor.

Edhe aktorët e teatrit të Kumanovës janë 2 mauj pa ngazhim. Për aktorin Ismail Kasumi e gjithë kjo situatë është traumatike.

“Vërtetë kjo është një lloj trauma psikike. Të rrish brenda dhe të mos bësh asgjë, është një farë lloj depresioni, jo vetëm unë po thuajse të gjithë ramë në depresion. Shpresoj që situate të kthehet në gjendje normale, sepse po na mungon çdo gjë, po na mungon puna, shoqëria dhe shumë gjëra tjera. Nuk e keni idenë sa mua personalisht po më mungon teatri, tani po ia dimë vlerën çdo gjëje”, tha Ismail Kasumi, aktor.

Ndonëse ishte paralajmëruar shkurtimi i pagave, aktorët thanë se i kanë marrë të plota dhe në kohë.  Që kur nisi të përhapet virusi korona në vendin tonë, Qeveria ndërmori një serë masash, me çka u anuluan të gjitha shfaqjet teatrore.