Vazhdon rigjykimi për tragjedinë në Modularin e Tetovës! Familjarët kërkojnë rihetim

TË FUNDIT

Në Gjykatën Themelore të Tetovës këtë të enjte vazhdoi seanca e rigjykimit për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 pacientë që shëroheshin nga kovid 19. Para se të fillonte vazhdimi i seancës së rigjykimit, familjarët  e viktimave thanë se e gjithë opinioni publik e di se ekzistojnë prova serioze për lëshime gjatë ndërtimit të spitalit modular, të cilat mund të jenë arsyet e vetme për shpërthimin e zjarrit. Familjet e viktimave  kërkuan të formohet një ekip i pavarur që do të shqyrtojë të gjitha aspektet e rastit, përfshirë edhe zvarritjet eventuale të procedurës nga prokuroret. Të garantohet se procedura gjyqësore do të zhvillohet pa ndikime partiake apo të biznesit.

“I gjithë opinioni publik e di se ekzistojnë prova serioze për lëshime gjatë ndërtimit të spitalit modular, të cilat mund të jenë arsyet e vetme për shpërthimin e zjarrit. Kjo u konfirmua edhe nga ekspertiza gjermane – një dëshmi e pavarur dhe e besueshme, e cila, për fat të keq, u refuzua nga prokuroria. Prandaj, i nderuar Ljupço, si tetovar, ju më së miri e kuptoni dhimbjen dhe zemërimin e familjeve të viktimave dhe të gjithë komunitetit. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore. Kjo është një detyrim moral – ndaj atyre që i humbëm, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve që sot jetojnë me frikën se një tragjedi e tillë mund të përsëritet, ndërsa askush nuk do të mbahet përgjegjës. Është koha që dikush të marrë përgjegjësi. Është koha që drejtësia të dalë nga sirtari. Si familjarë të viktimave, kërkojmë nga Ju: Të rihapni hetimin për të gjetur fajtorët e vërtetë të zjarrit në spitalin modular në Tetovë”, tha Mumin Ismaili

Seanca vazhdoi duke u marr në pyetje sërish ekspertët, respektivisht Irfan Shaqiri, elektro inxhiner, dhe Rubin Boshkovski, ekspert i MPB-së në kuadër të sektorit të forenzikes . Irfan Shaqiri, foli për instalimin e rrymës elektrike ku nënvizoi se e i njëjti është vendosur nga dy të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku sipas tij, kyçja e rrymës elektrike nga trafoja kryesore e deri në modular është bërë pa ndonjë skemë dhe pa asnjë standard, kurse si pasojë e vendosjes së shumë aparateve në kabllon vazhduese ka ardhur deri tek lidhja e shkurtë që më pas ka shkaktuar  zjarrin. Edhe eksperti Rubin Boshkovski, tha se sipas analizave objekti i modularit është ndërtuar me materiale lehtë të ndezshme. Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje edhe të dëshmitarëve tjerë. Në seancë sërish u parashtruan pyetje lidhur me mungesën e aparateve për shuarjen e zjarrit gjatë kohës kur ka ndodhur zjarri në modularin e Tetovës. Në bankën e të akuzuarve janë  ish drejtori i këtij spitali, Florin Besimi dhe drejtori organizativ Artan Etemi. Seanca e radhës është caktuar  me 8 prill.