Vazhdon marrja në pyetje për Klinikën Onkologjike: Para komisionit anketues dolën funksionarë të Fondit për Shëndetësi

TË FUNDIT

Vazhdon puna e Komisionit anketues për skandalin në Klinikën e onkologjisë. Ish drejtori i Fondit për sigurim shëndetësorë, Orhan Ramadani, duke iu përgjigjur pyetjes rreth buxhetit, tha se Klinika mund të furnizojë medikamente të caktuara vetëm nëse ka miratim nga Ministria e shëndetësisë si dhe nga Fondi shëndetësorë. Ai theksoi dhe se çdo vit buxheti i Klinikës rritet, por është rritur edhe buxheti i kushtëzuar i cili në fakt paraqet shpenzime shtesë.

“Në vitin 2017, nëse buxheti ka qenë mbi 600 milionë denarë, buxheti i kushtëzuar ka qenë 71 milionë denarë, 2018, 63 milionë denarë, 2019, 305 milionë kur është marrë shumë më tepër dhe janë dhënë pëlqimet për 16-17 barna dhe në vitin 2020, është 336 milionë denarë”, tha Orhan Ramadani,  ish-drejtor i FSH-së.

Ish ushtruesi i detyrës së drejtorit të fondit Mile Sugarev dhe në disa raste kryesues i çështjeve financiare deklaroi se as nuk ka pasur mundësi që të ndalojë blerjen e barnave dhe as nuk dëshiron ta bëjë këtë, pasi që bëhet fjalë për barna që janë të nevojshme për të sëmurët.

“Unë po e luftoj këtë, për 17 vjet që punoj në Fond, a duhet ta ndaloj drejtorin, kisha mundësi t’i ndaloj të blejë ilaçe për 6 muaj se nuk ka para. Me gjithë respektin ndaj të gjithëve dhe ligjit, pohoj me përgjegjësi se nuk kam dashur të vihem në rolin që ta ndaloj blerjen e ilaçeve dhe të dënoj dikë me vdekje, sepse nuk e ka marrë ilaçin”, pohoi Mile Sugarev, u.d. drejtor i FSH-së.

Drejtoresha aktuale e Fondit, Maja Parnaxhieva dhe ish-drejtori Dan Donçev, janë ftuar në Komisionin Anketues në cilësinë e dëshmitarëve, por ky i fundit nuk u paraqit në seancë.