Vazhdon “konflikti” në ASH – Mehmedi dhe Abduli përplasen për ligjshmërinë e kongresit

TË FUNDIT

Nënkryetari i ASH nga krahu i Selës, Remzi Mehmedi, e ka cilësuar si të paligjshëm Kongresin e jashtëzakonshëm të ASH-së që e organizoi dje Arben Taravari. Mehmedi tha se në mungesë delegatësh s’ka kongres dhe s’ka, siç tha ai, vendime legjitime e as legale.

Reaguan nga krahu i Taravarit. Avokati Abidin Abduli thotë se ASH krahu i Selës paraprakisht shkarkoi dhe emëroi delegatë të ri. Thotë se dëshmitë e tyre janë të falsifikuara, ndërsa pret që Apeli të marrë statusin e partisë së vitit 2022, për të krahasuar delegatët.

Ndryshe për sot ishte paraparë të mbahej seanca për atë se kujt i takojnë vulat e Aleancës për Shqiptarët, por kjo seancë është anuluar për më 13 dhjetor.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Tetovë, në prill 2024, vendosi që vulat e partisë t’i takojë krahut të Ziadin Selës, ndërsa ky i fundit u zgjodh si kryetar partie nga kryesia e partisë. Për këtë, nga krahu i Taravarit atëkohë ankoheshin se vendimi është sjellë pa seancë dhe deri te vendimi final ishin ndryshuar pesë gjykatës të ndryshëm.