Vazhdojnë protestat në “Kvantashki”! Tregtarët: Ky vend është shndërruar në arenë zhvatjeje

TË FUNDIT

Edhe këtë mëngjes tregtarët dhe prodhuesit e tregut “Kvantashki” protestuan para hyrjes së këtij tregu me shumicë. Ankohen për kushtet aspak të mira, për pagesat e larta për qira dhe për parkim. Bujqit dhe tregtarët thonë se situata është bërë e padurueshme këto 3 muajt e fundit.

 “Ky treg me shumicë është shndërruar në një arenë zhvatjeje nga ana e pronarëve. Pronarët e këtij vendi nuk kanë asnjë rregullore ose çmimore ku do të dihet se kush duhet të paguaj për shfrytëzim të hapësirës, por përkundrazi pronarët sillen si kauboj duke vendosur çmimore pa kritere dhe pa bazë”, tha Taxhedin Idrizi, prodhues.

 “Këtij zotërisë për një rezervim të vendit 5 metra ia merr 8000 denarë. Njësoj për 5 metra gjatësi dikujt ia merr 18 mijë denarë, d.m.th. nuk ka çmimore”, pohoi Naser Ajdini, tregtar.

Pyetëm sipas cilave kritere, për të njëjtin shërbim, dikujt i merret 8000 denarë e dikujt 18.000?

 “Kjo po ndodh se ky këtu ka ardhur me të vetmin qëllim, që të na e merr paranë prej xhepit, pa 0 investim”, pohoi Naser Ajdini, tregtar.

Për shkak se po protestojnë për 3 ditë radhazi, tregtarët thonë se kanë marrë kërcënime nga menaxheri që t’i ndalojnë protestat.

 “Na kërcënon do ta shndërroj vendin në tualet, do ta bëj këtë, do ta bëj atë. Do të të përzë prej tregut, nuk do të lë të hysh në portë. Ti ke qenë në protesta, e ke pasur vendin 6000 denarë, do ta bëj 18 mijë. Mos të të shoh në protestë, të shoh në kamerë të përcjell prej në zyrë”, deklaroi Taxhedin Idrizi, prodhues.

Ata kërkojnë që të respektohet mundi dhe djersa e bujqve.

 “Unë para së gjithash jam bujk, prodhoj mall, kam tokë në Gjevgjeli, shkoj në Gjevgjeli punoj dhe vijë këtu ta shes. Kur vijë këtu për t’i shitur sipas çmimit ditor, paratë unë duhet t’ia jap këtij zotërisë dhe të kthehem në shtëpi duke qarë”, nënvizoi Naser Ajdini, tregtar.

Të vetmen kërkesë që kanë qiramarrësit e këtij tregu është që të ulen çmimet e parkingjeve dhe të qirasë. Thonë se menaxheri Klodian Ibraj para syve “ua bën bardh”, e mbas shpine përsëri e bën të veten.

 “Ta ulim çmimin në nivel, të kapshëm për të gjithë jo vetëm për mua. Se ai mua mund të më thotë “ty do ta bëjmë pa lek”, jo, jo do të paguaj edhe unë sikur tjetri e tjetri si të gjithë, në bazë të vendit dhe në bazë të metrave katror”, deklaroi Naser Ajdini, tregtar.

Tregtarët apelojnë tek institucionet për ndihmë dhe zgjidhje të problemit, përndryshe paralajmërojnë se do t’i radikalizojnë protestat. Ndërkaq para katër vjetësh kur erdhi pronari i ri i “Kvantashki” tregtarëve u është premtuar treg me kushte europiane, ujë dhe infrastrukturë, parkingje por 0 prej këtyre deri tani janë realizuar. Për të gjitha akuzat e bëra nga protestuesit, kërkuam për qëndrim edhe menaxherin Klodian Ibraj, por ky i fundit nuk deshi të flasë para kamerës.