Vazhdojnë luftimet në Ukrainë! Kievi thotë se Rusia synon të ndajë në dysh Ukrainën

TË FUNDIT

Kyrylo Budanov, shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, thotë se presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të zbatojë atë që ai e quan “skenari korean” në Ukrainë, pasi nuk arriti të marrë kryeqytetin dhe të rrëzojë qeverinë legjitime. Sipas tij prioritetet e Putinit janë lindja dhe jugu i Ukrainës, pasi ofensiva e tij ka ngecur në masë të madhe.

Nëse ai është në gjendje të lidhë atë territor, Budanov thotë se Putini më pas do të përpiqet të krijojë një vijë demarkacioni që ndan atë zonë nga pjesa tjetër e Ukrainës.

Por, Budanov thotë se një nga problemet kryesore të Rusisë është krijimi dhe mirëmbajtja e një korridori tokësor midis lindjes dhe Krimesë, pasi në rrugën e tij qëndron Mariupoli “i pathyeshëm”. Në çdo rast, parashikon gjenerali Budanov, ky kuazi-shtet do të ishte i paqëndrueshëm, duke pasur parasysh rezistencën e popullatës vendase.

Luftimet në terren po vazhdojnë. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka bërë një tjetër bilanc të luftimeve në vend dhe ka arritur në rezultatin se 16 mijë e 600 rusë janë vrarë që nga nisja e pushtimit me 24 shkurt.

Lajmi u publikua dhe nga mediat vendase, të cilat gjithashtu citojnë dhe palën ruse që mohon këto shifra të mëdha fatalitetesh, duke thënë se ushtarët e vrarë gjatë “operacionit special” në Ukrainë janë vetëm 1 mijë e 351. Gjatë ditës së fundit, ministria ukrainase e Mbrojtjes deklaroi se ushtria ruse ka përdorur bomba thërrmuese në zonën rezidenciale të Krasno-horivkas, ndërkohë që një depozitë armësh pranë Kievit u bombardua nga Deti i Zi.

Rusia nga ana e saj njofton se gjatë 24 orëve të fundit, sistemi kundërajror ka asgjësuar 18 dronë ukrainas në Nova Basan, Pisky, Boryspil, Snovsk, Vyshneve, Koryukivka dhe Petrivskyi./TV21