VAZHDOJNË DALLIMET PËR SPECIALEN, BISEDIMET QEVERI-VMRO NË UDHËKRYQ

TË FUNDIT

Ministria e Drejtësisë ka përpiluar një version të ri të projektligjit për prokurorinë, por VMRO-DPMNE-ja sërish duket e pakënaqur me tekstin.  Kryeministri Zoran Zaev i shoqëruar nga Ministrja Renata Deskoska janë takuar mbrëmë me liderin opozitar Hristijan Micskoski dhe përfaqësuesin e VMRO-DMNE-së në bisedime Toni Menkinoski. Nga Kabineti Ministres së Drejtësisë thonë se ende ka dallime.

“Duke qenë se mbeten dallimet kyçe, të dyja palët u pajtuan që konsultimet për ligjin të vazhdojnë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Megjithatë nga Drejtësia nuk pranojnë të flasin se cilat nga 65 amendamentet janë futur në tekstin e ri, e cilat jo. E vetmja gjë që u tha dje është se ndërhyrjet në përgjithësi kanë të bëjnë me dispozitat në Kodeksin Etik të ligjit për Prokurorinë, dhe jo në ato nene ndryshimi i të cilave mund të cenojë procedurat dhe statusin e Prokurorisë Speciale.

Kjo nënkupton se nuk janë prekur nenet që përcaktojnë fatin e Prokurorisë Speciale, pra neni 105 për përdorimin dhe përpunimin e “bombave” dhe ato nene ku parashihet që Specialja të jetë Prokurori më vete në radhët e prokurorive Publike.

“Patjetër se do të jetë kuadër të prokurorisë Publike, me pavarësi, siç është ajo financiare, pjesën e përfaqësimit dhe përfaqësimin e shkallës së dytë, besoj se do të ekzistojë, ky është model që ne dhe qytetarët e presim por edhe komuniteti ndërkombëtar që është partneri ynë në këto procese”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kjo me sa duket e ka lënë të pakënaqur opozitën, ndërsa i kontaktuar nga TV21 përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së në bisedime, Toni Menkinovski, tha se nuk dëshiron të ndajë asgjë për publikun sepse kështu janë marrë vesh me Ministren e Drejtësisë Renata Deskoska.

Opozita reagoi dje pas deklaratës së Kryeministrit Zoran Zaev, i cili tha se janë pranuar një pjesë e vërejtjeve të VMRO-DPMNE-së. Nga partia e Mickoskit shkruajnë se “Zaev ose nuk e ka lexuar propozimin e ri, ose Zaev vazhdon me vetëdija të mos e thotë të vërtetën për publikun ose trillon se pushteti është bashkëpunues. Është e papranueshme retorika e pushtetit dhe principi “merre ose lëre”” shkruajnë nga VMRO-DPMNE.

Dje, duke folur për TV21, euro ambasadori Samuel Zhbogar tha se shpreson që palët vetë do të gjejnë zgjidhje për fatin e Prokurorisë Speciale, pa e pasur nevojën e ndonjë ndërmjetësimi ndërkombëtar.

Përgatiti: Besir Arifi