Vasillço ka lindur me paralizë cerebrale, por kjo nuk e ka penguar që të ndjek shkollimin dhe të vrapojë pas profesionit të ëndrrave.
“Kam zyrën time, punoj vetë tashmë dy vite, kam bërë këtë hap sepse vlerësoj se çdo person me nevoja të veçanta duhet të insistojë që si i pavarur të përfshihet në shoqëri dhe si i pavarur të kontribuojë në zhvillimin personal dhe profesional”, tha Vasillço Iliev – person me paralizë cerebrale.
Në periudha të ndryshme të jetës Vasillço thotë se është përballur me pengesa të tipit diskriminues, por vlerëson se personat me nevoja të veçanta duhet të insistojnë më shumë në zhvillimin individual dhe të eksponohen, që si përfundim shoqëria t’i pranojë.
“Kjo është nga rasti në rast, gjeneralisht mendoj se ende jemi në nivelin e paragjykimeve, shoqëria ende është me shumë paragjykime dhe stereotipa sa i përket personave me nevoja të veçanta, kjo ndjehet në mënyrë suptile, sepse askush s’do të ju thotë se arsyeja është ajo që është. Mendoj se edhe ne si persona me pengesa duhet të punojmë që të shihemi, sepse nëse nuk eksponohemi dhe nuk doni që të ju shikojnë, normalisht që edhe stereotipat do të ekzistojnë”, shtoi Vasillço Iliev.
Problemet dhe kërkesat e personave me nevoja të veçanta me vite janë të njëjta. Jeta e personave me paralizë cerebrale nuk është e lehtë, as për ta e as për familjet e tyre, tregon Branimir Jovanovski nga Lidhja nacionale e personave me invaliditet trupor– Mobiliteti Maqedoni. Problemet dhe kërkesat e personave me nevoja të veçanta me vite janë të njëjta.
“Problemet janë nga shumë sfera të jetës, duke nisur nga qasja, ku barrierat arkitektonike janë gjithkund rreth nesh, respektimi i rregullatores për sinjalizim vertikal dhe horizontal, qasja në objekte dhe institucione, objektet arsimore si shkollat fillore, të mesme dhe arsimi i lartë. Më pas problemet me sigurimin shëndetësor, në çdo muaj u kërkojnë vërtetim për t’ia liruar nga participimin, ndërsa më herët e merrnin një herë në vit”, deklaroi Branimir Jovanovski nga Lidhja nacionale me invaliditet trupor – Mobiliteti Maqedoni.
Jovanovski numëroi edhe problemin e mungesës së asistentëve personal dhe arsimor. Ndërkaq në gjithë botën ka 17 milion persona me paralizë cerebrale, prej të cilëve 55% nuk kanë pengesa intelektuale, ndërsa në vendin tonë nuk ka evidencë sa persona të tillë ka. Jovanovski tha se ka kërkuar që gjatë regjistrimit të popullsisë të vendoset edhe kategoria e personave me nevoja të veçanta me qëllim përmirësimin e të drejtave të tyre , mirëpo kjo nuk u zbatua.
6 tetori, Dita botërore e personave me paralizë cerebrale, u shënua nga Lidhja Nacionale e Personave me Invaliditet Trupor me qëllim të ngritjes së vetëdijes publike për problemet me të cilat përballen këto persona. Paraliza cerebrale nuk është sëmundje, por definohet si çrregullim i sistemit musculoskeletal.
