Banorët e Aerodromit dhe Gazi Babës, ditët me diell do t’i kalojnë të mbyllur brenda. Ata nuk guxojnë as t’i hapin dritaret për shkak të erës që kundërmon nga deponia e egër “Vardarishte”. Kjo deponi është këtu tashmë 40 vjet. Herë pas here edhe i vihet flaka me çka banorët ngulfaten nga tymi i zi që del nga gomat e djegura, plastika dhe kemikalet e ndryshme. Shumica e tyre as nuk deshën të flasin para kamerës, kanë humbur shpresat se do të rregullohet problemi, sepse thonë se janë ankuar tashmë me qindra herë por institucionet kanë heshtur.
“Ndonëse banorët e Vardarishtes kanë shtëpitë dhe oborret për të qëndruar gjatë ditëve të nxehta të verës, ata thonë se as 1 minut nuk mund të qëndrojnë në oborr nga era e keqe që shpërndahet nga kjo deponi këtu. Probleme të njëjta kanë edhe banorët romë, të cilët jetojnë pothuajse në 100 shtëpi të improvizuara, ato ankohen nga era që del prej aty dhe nga mbeturinat”, Almedina Ismajli- Gazetare.
Dime me përkushtim të madh ka ndërtuar kopshtin e tij, por të njëjtin nuk mund ta shijojë, sepse shtëpia e tij ndodhet vetëm 10 metra nga deponia “Vardarishte”.
“Për çdo ditë mijëra kamiona kalojnë dhe zbrazin këtu gjithçka, nga firmat, nga kudo. E sjellin shutin këtu dhe hedhin çka është e mundur. Vije era si nuk vije, 4-5 herë e kanë djegur deponinë dhe është katastrofale. Unë jam këtu nga viti 75, që atëherë gjuajnë asnjëherë nuk janë ndalur. Këtu nuk jetohet, ka pluhur nonstop, nëse vie era nga posht bëhet katastrogë, kot se ndërtojmë. Dëshiron të ulesh, të qëndrosh në qetësi, por nuk mundesh, vështirë për të ndenjur në oborr”, tha Dime, banor i kësaj zone.
Banorët e komunitetit rom përveçse për deponinë, ankohen edhe për kushtet mizore në të cilat jetojnë. Ata fajësojnë qeverinë për pasojat që mund të kenë nga kjo deponi.
“Çfarë qeverie është kjo, duhet të vijnë këtu, ta pastrojnë bërdhogun, t’i rregullojnë rrugët dhe t’i ndihmojnë të varfërit. Kundërmon, nuk mundemi jashtë të hamë bukë, as fëmijët t’i lëmë jasht, sepse kjo është sëmundje, është infeksion për ne”, deklaroi një tjetër banore.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, premtoi zgjidhje në afat të shkurtër kohor për problemin në Vardarishte, edhe për deponinë por edhe për kushtet e romëve.
“Me resurset që disponojmë si dhe me kompanitë komunale me të cilat bashkëpunojmë, për këto probleme që janë shfaqur me dekada, një nga një Qyteti i Shkupit do t’i sanojë. Aty ku ka lagje të egra dhe ato janë mu pranë këtyre deponive të egra, në bashkëpunim me Ministrinë për punë dhe politikë sociale, në fillim duam të sigurojmë përkujdesje për ata persona që jetojnë aty, me qëllim që të ndalojnë me djegiet”, tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Banorët që jetojnë përreth thonë se sot nuk kanë ardhur kamionët të hedhin mbeturina ngaqë është festë. Për këtë shkak deponia “Vardarishte” kishte më pak mbeturina se ditëve të tjera.
Në Qytetin e Shkupit së fundmi është vënë zjarr në tre deponi, që janë të formuara me dekada, ajo në Karposh, ajo në Vizbeg dhe “Vardarishtja” në Gazi Babë. Para disa ditëve një zjarr i madh u përhap në deponinë e “Vardarishtes” ku intervenuan 9 automjete të zjarrfikësve, duke u vënë në rrezik shtëpitë e banorëve të kësaj zone.
