Valë dorëheqjesh në Austri!

TË FUNDIT

Ditën e djeshme a kanë shënuar disa dorëheqje të politikanëve në funksione të larta në Austri.

Së pari, kreu i Partisë Popullore Austriake (OVP), ish-kancelari Sebastian Kurc, njoftoi se do të tërhiqet nga politika. Kurc e drejtoi me sukses OVP dhe fitoi 37 për qind të votave në zgjedhjet e fundit në vitin 2019. Kurc dha dorëheqje si kancelar më 9 tetor pasi u akuzua për ryshfet, korrupsion dhe shkelje të besimit.

Deri në paralajmërimin e djeshëm të Kurc spekulohej se mund të rikthehej në krye të politikës pas përfundimit të hetimeve ndaj tij.

Disa orë pas Kurcit, edhe kancelari austriak Aleksander Shalenberg njoftoi se do të largohej, më pak se dy muaj pas marrjes së detyrës.

Dorëheqja e politikanit konservator Shalenberg paralajmëroi trazira serioze në krye të politikës austriake dhe veçanërisht në Partinë Popullore Austriake konservatore (OVP), komenton DPA.

Pas Kurc dhe Shalenberg, edhe ministri i Financave, Gernot Blimel, njoftoi mbrëmë se jep dorëheqjen.

Blimel renditet si një nga të pandehurit krahas Kurcit në një hetim për mashtrime dhe ryshfet të ndërlidhur me urdhërimin e hetimeve të supozuara të rreme.

Mediat austriake spekulojnë se OVP nuk dëshiron të presë që të shohë nëse do të paraqiten më shumë biseda onlajn, të cilat munden akoma më shumë ta ngarkojnë Blimel.

Në Austri, spekulohet se ministri i Punëve të Brendshme, Karl Nehamer mund ta marrë postin e kreut të OVP-së, por edhe si kancelar dhe ministër i Financave.

Ndryshime të tjera mund të bëhen në Qeverinë austriake, pasi përmendet se Nehamer mund t’i zëvendësojë ministren e Ekonomisë Margaret Shrambek, ministren e Bujqësisë Elizabet Kestinger dhe ministren e Integrimit Suzana Rab, anëtare të Qeverisë që ishin shumë të afërta me Kurcin.