Valbona Toska, gjuhëtarja nga Maqedonia që mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

TË FUNDIT

Më 10 nëntor u mbajt në Tiranë konferenca jubilare në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Nga shumë të ftuar, nga të gjitha trevat shqipfolëse, mori pjesë edhe gjuhëtarja nga Maqedonia e Veriut, profesoresha Valbona Toska së bashku me delegacionin nga Shkupi.
Me rastin e fjalimit të saj pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesoresha Valbona Toska, ndër të tjera tha se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbetet padyshim një ngjarje me rëndësi kapitale për të gjithë kombin shqiptar. Ajo theksoi se standardizimi i gjuhës shqipe jo vetëm që shënoi një stad të lartë të zhvillimit të gjuhës, por ky akt, duke u miratuar nga 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë, njëkohësisht edhe synoi që shqipja standarde të bëhet element kryesor i kohezionit të kombit.

Gjuhëtarja Valbona Toska foli edhe për babin e saj, Remzi Nesimisin, si një nga organizatorët e Kongresit të Drejtshkrimit 50 vjet më parë në Tiranë dhe përfaqësues i Maqedonisë së bashku me prof. Petro Janurën dhe prof. Sefedin Sulejmanin, që nënshkruan edhe Rezolutën e Kongresit.

“Nëna ime Atixhe Qylafku Nesimi, gazetare, informoi për këtë veprimtari nëpërmjet të valëve të Radio Shkupit, ndërsa babai im, Remzi Nesimi, ishte përfaqësues i Maqedonisë në Komisionin e organizimit të Kongresit, në Kongres mbajti referat, ishte anëtar i komisionit të hartimit të Rezolutës dhe bashkë me delegatët e tjerë nga Maqedonia, prof. Petro Janurën dhe prof. Sefedin Sulejmanin, e nënshkroi Rezolutën e Kongresit.”- tha ndër të tjera gjuhëtarja Valbona Toska.