Vendet e Ballkanit Perëndimor janë prekur rëndë nga koronavirusi me një normë të lartë të infeksioneve dhe raste të reja të vdekjes në nivel ditor, shumë më tepër sesa në fillim të pandemisë pranverore. Vala e vjeshtës mban rekorde të zeza në Evropë, ndërsa SHBA-ja mbetet vendi më i prekur në botë, si për nga numri i rasteve pozitive, ashtu edhe nga vdekshmëria.
Organizata Botërore e Shëndetësisë kumtoi se më shumë se 55 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar me koronavirus dhe më shumë se 1,3 milionë kanë vdekur. Rritja e shpejtë e numrit të njerëzve të infektuar dhe të vdekur është për shkak të valës së fortë të virusit, si dhe paaftësisë së vendeve për të parandaluar plotësisht përhapjen e tij, kështu që ata miratojnë masa të reja kufizuese për të zvogëluar zgjerimin e tij, derisa bota të fillojë imunizimin me vaksina.
Austria është përsëri në karantinë. Rrugët në qytetet e mëdha janë të braktisura dhe masat e mbrojtjes do të zgjasin për tre javë dhe janë të ngjashme me ato të vendosura në mars. Vetëm dyqanet për ushqim, barnatoret dhe bankat mund t’u shërbejnë klientëve.
Edhe Bullgaria ka paraqitur rekord të zi, kur janë në pyetje rastet e vdekjes nga Kovid-19. Gjatë 24 orëve të kaluara, në atë vend kanë vdekur 131 pacientë. Janë konfirmuar 4.828 raste të reja, ose gjithsej 106.598 raste pozitive.
Ka 421.413 raste të koronavirusit në Turqi, nga të cilat 359.063 janë shëruar dhe 11.704 kanë vdekur. Gjithsej 3.657 persona janë në gjendje kritike.
Në Slloveni, Qeveria ka zgjatur masat kundër epidemisë për 30 ditë të tjera, në të cilat mund të merren veprime për të ngadalësuar përhapjen e virusit./MIA
