Vaksina kundër koronavirusit pritet të arrijë në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Kështu deklaroi, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipce. Ai vlerësoi se në përputhje me dinamikën e tanishme vaksinën do ta kemi në muajin janar ose shkurt dhe njëjta do të sigurohet nëpërmjet mekanizmit KOVAKS.
“Kjo procedurë zakonisht zgjatë disa muaj, pra kur të mbarojnë të gjitha fazat klinike të testimit, nis procedura administrative. Besoj se do të japin miratim për të ashtuquajturën ‘procedurë urgjente’ dhe se diku deri në Vitin e Ri, kështu janë pritshmëritë, do të marrin leje të dy vaksinat të distribuohen. Ne i sigurojmë nëpërmjet KOVAKS mekanizmit. Ky mekanizëm do të thotë se secili prodhues, pasi që ta marrin lejen për përdorim, i japin dozat e vaksinës dhe në mënyrë të barabartë vaksinat shpërndahen në gjithë vendet që marrin pjesë në atë mekanizëm”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë Qeveria dje miratoi masën për ndalesë të grupimit të më shumë se katër personave gjatë gjithë ditës dhe mbrëmjes në vende publike. Filipçe shtoi se kjo nuk do të vlej për tregjet dhe për transportin publik.
“Kjo masë nuk do të vlej për në tregje dhe në transportin publik, më saktë nuk do të vlej për ato vende për të cilat janë përgatitur protokolle. Qëllimi është që të mos grumbullohen nëpër parqe, para objekteve gastronomike. Vikendeve pamë që kishte grupime të mëdha të njerëzve nëpër parqe dhe pikërisht këtë duam ta ndalojmë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Tani për tani nuk do të ketë as masa restriktive, as orë policore e as mbyllje të kufijve. Filipçe shprehet se nëse këto masa respektohen do të japin edhe rezultate. Duke folur për kapacitetet spitalore ai tha se në të gjitha spitalet ka vend për momentin përveç se në Strumicë dhe Kumanovë, por megjithatë apeloi që të respektohen masat dhe protokollet e miratuara nga Qeveria sepse presioni mbi punonjësit shëndetësor është i madh.
