Ushtria mbetet në Gostivar, ndihma vazhdon pa afat kohor

TË FUNDIT

Armata do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Gostivarit për aq kohë sa të ketë nevojë, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Ai tha se kapacitetet e Armatës, përfshirë cisternat dhe pajisjet për furnizim me ujë teknik, mbeten në dispozicion të qytetarëve. Sipas tij, mbështetja do të vazhdojë sipas vlerësimeve të autoriteteve dhe nevojave në terren. Misajllovski theksoi se prioritet në këtë moment është sigurimi i ndihmës së nevojshme për banorët e Gostivarit, ndërsa përmasat e angazhimit të Armatës do të përcaktohen në varësi të situatës.

“Në Gostivar do të qëndrojmë si Armatë për të siguruar ujë shtesë teknik. Kapacitetet tona, cisternat dhe pajisjet e ndryshme janë vënë në dispozicion dhe do të jemi atje aq gjatë sa të jetë e nevojshme. Edhe pse tashmë ka ujë teknik, do të veprojmë sipas vlerësimeve të Komitetit Drejtues dhe nevojave të qytetarëve. Nuk ka kufizim kohor – do të qëndrojmë për aq kohë sa të jemi të nevojshëm”, theksoi Vllado Misajllovski – ministër i Mbrojtjes.