“Urim” për Vitin e Ri nga Komisioni Rregullator! Pas rrymës, prej 1 janari edhe çmimi i ngrohjes rritet për 14%

TË FUNDIT

Në vitin e ri hyjnë me çmime të reja dhe më të larta. Pas rritjes së djeshme të çmimit të energjisë elektrike, prej nesër, faturat për muajin janar për ngrohje qendrore do të jenë për 14% më të larta. Me këtë, nëse qytetarët merrnin fatura prej 2 mijë denarëve, tani do të duhet të paguajnë 280 denarë më shumë. Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski, tha se me këtë vendim, çmimi i ngrohjes qendrore kthehet ashtu siç ka qenë në vitin 2018. Nuk mund të lejojmë “goditje” çmimesh me rritje më të mëdha të ngrohjes, deklaroi Bislimovski, duke aluduar në kërkesën e BEG-ut, që çmimi i ngrohjes qendrore të rritet për 300%.

“Çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup do të rritet për 14%. Me këtë vendimin tonë kthehemi në nivelin e çmimit të energjisë së ngrohjes që e kemi pasur në 2018 duke pasur parasysh se për 16% nga viti 2018 deri më sot e kemi ulur çmimin e energjisë së ngrohjes”, tha Bislimovski.

Rritja e çmimit të gazit natyror në bursat botërore është shkaku i rritjes së çmimit, tha Bislimovski. Vitin e kaluar çmimi ishte rreth 240 dollarë për metër kub ndërsa çmimi që është ofruar këtë vit arrin 1.480 dollarë. Ai i bëri thirrje Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit të ndihmojnë në lidhje me mbulimin e dallimit të çmimit i cili nuk hyn në faturat e qytetarëve. Për ne rritja e çmimit të ngrohjes qendrore për 200%, nuk është opsion, tha njeriu i parë i KRRE-së.

“Nuk është e drejtë që shpenzimet për gaz natyror të bien mbi kurrizin e qytetarëve. Prandaj dje u apeluam Qeverisë dhe komunave të Shkupit të ndihmojnë. Qeveria tashmë merr hapa të caktuar që do t’i publikojë gjatë periudhës së ardhshme me qëllim që për këtë shpenzim i cili nuk mbulohet me këtë vendim, të gjendet mënyrë që të mbulohet”, u shpreh Bislimovski.

Bislimovski tha se për momentin nuk mendohet që ngrohja të realizohet me mazut për shkak se në atë rast, gjatë gjithë sezonit të ngrohjes do të duhet të përdoret mazut i cili ndikon shumë keq në ndotjen e qytetit. Megjithatë nëse ndodh që të mos ketë gaz natyror ose çmimi i tij të rritet në mënyrë drastike, ky opsion mbetet i hapur, tha ai. Në Qytetin e Shkupit ka rreth 60 mijë konsumatorë që janë kyçur në sistemet qendrore të ngrohjes.