Mickoski: Hetim i detajuar për arratisjen e Mihailovës! NATO dhe BE-ja do të njoftohen për qasjen e Bullgarisë ndaj këtij rasti

TË FUNDIT

Institucionet e Maqedonisë do ta zhvillojnë hetimin për të përcaktuar se si dhe kush është i përfshirë në arratisjen e Iva Mihailovës, veçanërisht nëse në këtë rast janë të përfshirë edhe persona zyrtarë nga Bullgaria. Ministrja e Punëve të Jashtme, Velislava Petrova Çamova, mohoi se autoritetet bullgare kanë çfarëdo përfshirjeje në këtë rast, për çka Mickoski komentoi: „E çfarë prisni të thonë, se kanë marrë pjesë në diçka të tillë?“ Mickoski, në „Click Plus“ në TV21, tha se për të gjitha këto do të njoftohen edhe NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.

“Ne kemi biseduar me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo çështje do të ngrihet edhe në takimet e Aleancës së NATO-s, pasi partneri ynë në NATO sot është strehë për kriminelë të dënuar dhe ne presim që ata, në një afat sa më të shkurtër, t’i dorëzohen drejtësisë. Por, gjithashtu, kjo çështje do të ngrihet edhe te partnerët tanë nga Bashkimi Evropian. Nuk do të doja që një kriminel i dënuar të ishte arsye për moszbatimin e drejtësisë. Nuk do të doja të besoja se udhëheqja aktuale politike e fqinjit tonë lindor do të jetë alibi që kriminelët e dënuar nga vendi ynë të kërkojnë pasaporta bullgare dhe, përmes kalimeve ilegale, të arratisen e të kërkojnë strehim atje”, tha Mickoski

Mickoski theksoi se nuk do të lejohet që ky rast të përdoret për të na provokuar në çfarëdo mënyre nga fqinji ynë lindor dhe që ne t’i braktisim negociatat. Përkundrazi, ai tha se do të vazhdohet me kërkesat për takime, dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje për integrimin evropian të Maqedonisë. Ai theksoi se në këtë proces Maqedonia është në krye, pasi në masë të madhe po i përmbush obligimet nga Agjenda e Reformave, gjë që, sipas tij, e konfirmoi edhe vetë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Nuk janë pararendës ata që përmendin Malin e Zi dhe Shqipërinë, ne jemi pararendësi i vërtetë. Në momentin e parë kur të zhbllokohet procesi, do të përparojmë me vrull të madh në atë proces. Presidentja Von der Leyen, në konferencën për shtyp, gjë që askush nuk e përmend, vetëm këtu në Maqedoni, në Shkup, e tha: ‘You are doing impressive job’, që do të thotë ‘po bëni një punë mbresëlënëse’. Këtë nuk e tha as në Podgoricë, as në Tiranë, as në Prishtinë”, deklaroi Mickoski

Nga LSDM-ja sërish kanë kritika ndaj pushtetit për arratisjen e Mihailovës në Bullgari dhe kërkojnë përgjegjësi nga ministri Toshkovski.

“Kufiri është ‘djathë zviceran’, sipas vetë pranimit të Toshkovskit, por ai, si ministër që drejton policinë dhe është përgjegjës për kufirin, është i mbrojtur. Hristijan Mickoski i siguron mbrojtje ‘zviceranit’ Toshkovski. Dhe anasjelltas, Toshkovski i siguron mbrojtje Mickoskit dhe grupit të organizuar kriminal. Policia, në vend që t’i shërbejë popullit, i shërben bandës. ‘Herët a vonë’, thotë Mickoski, që do të thotë se askush nuk do të mbajë përgjegjësi”, tha LSDM

Për Iva Mihailovën në vend është hapur proces gjyqësor për një aksident të rëndë trafiku, në të cilin humbi jetën një person. Gjykata i caktoi masën e marrjes së të dy pasaportave, asaj maqedonase dhe asaj bullgare, ndërsa aktualisht po hetohet se në çfarë mënyre dhe me ndihmën e kujt e ka kaluar kufirin.