Nga sot katër urat mbi lumin Ibër do të vëzhgohen 24 orë në ditë nga Policia e Kosovës – stacioni veri, pjesëtarë të ‘Civilna Zastita’, si dhe të MUP-it serb. Ky plan do të vazhdojë deri në një afat të pacaktuar kohor.
Sipas burimeve të “Kosovapress-it”, ky plan operativ është marrë dje në veri të Mitrovicës dhe këto struktura do të vëzhgojnë hyrje-daljet e po thuajse të secilit individ dhe automjet që kalon në drejtimin jug-veri dhe anasjelltas.
“Ministri Mariq ka urdhëruar për një vendim të tillë pas incidenteve të fundit në veri, derisa ka kërkuar nga kreu i policisë në veri që raportet policore gjatë 24 orëve për të gjitha ngjarjet që ndodhin në atë pjesë, t’i dërgohen në e – mailin e tij. Në këtë takim përveç ministrit Mariq, kanë marrë pjesë edhe kryetari legal dhe ilegal i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq e Aleksandar Spiriq, pastaj shefi i Civilna Zastita-s në veri, Stevo Paviçeviq, si dhe drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq”, kanë thënë burimet./21MEDIA
