Stojanoski: Duhet rrugë e qartë drejt BE-së, jo kushte të vazhdueshme! Llukarevska bëri thirrje për ndërtimin e një qëndrimi të përbashkët të partive

TË FUNDIT

Për mesazhet e eurodeputetëve nga Komisioni për Punë të Jashtme, të cilët këto ditë iu drejtuan partive politike në vend me thirrjen që të heqin dorë nga retorika e ashpër dhe të tregojnë konstruktivitet në procesin eurointegrues të vendit, nga VMRO-DPMNE thonë se Maqedonia është konstruktive. Deputeti Bojan Stojanoski në emisionin Click Plus në TV21 tha se vendi meriton të ketë një rrugë të parashikueshme drejt Unionit, e jo vazhdimisht të kërkohet prej nesh të bëjmë lëshime të ndryshme.

“Konstruktiviteti absolutisht ekziston, sepse ne jemi ata që vazhdimisht bëjmë thirrje për dialog me cilindo partner nga pala tjetër. E tha edhe kryeministri Mickoski, vetëm le të na tregojnë një ditë më herët se ku dhe në sa ora, ne do të paraqitemi, sepse jemi të bindur në argumentet tona. Ndërsa argumentet tona janë këto: se Republika e Maqedonisë, gjatë 26 viteve sa e ka nisur këtë rrugëtim, pas të gjitha lëshimeve që ka bërë, meriton të ketë një rrugë të parashikueshme, një rrugë për të cilën do ta dimë përgjigjen e pyetjes se kur dhe si do të përfundojë”, u shpreh Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja, ndërkaq, përsëri u bë thirrje për ndërtimin e një paraqitjeje të përbashkët të të gjitha partive për zhbllokimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Deputetja Sanja Llukarevska tha se për çështje të tilla strategjike është i domosdoshëm një konsensus i gjerë politik. Ajo e ftoi hapur pushtetin që ta prezantojë strategjinë e vet për anëtarësimin e vendit në BE.

“Të gjithë të ulemi në një tryezë, të gjithë faktorët politikë në shtet dhe faktorët shoqërorë në shtet, që të zhbllokohet ky proces. Sepse korniza negociuese, e dimë të gjithë, nuk është çështje bilaterale, përkundrazi, ajo është kornizë negociuese që Bashkimi Evropian na e ka dhënë. Tani kemi qëndrime diametralisht të kundërta si dy parti politike, sepse narrativa jonë më herët, kur ishim në pushtet, në lidhje me këtë çështje të BE-së ishte se po punojmë me ritëm të shpejtë, por jo me nxitim”, u shpreh Sanja Llukarevska nga LSDM.

Këto ditë, presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Kosta, porositi se ndryshimet kushtetuese janë obligim dhe hap i domosdoshëm për hapjen formale të negociatave me Bashkimin Evropian.