Ura “Bellasica” një javë e mbyllur/Partitë bëjnë politikë me të, qytetarët vuajnë kaosin 

TË FUNDIT

Kështu duket ura “Bellasica”, e cila u kaplua nga zjarri një javë më parë.

Që atëherë është jashtë funksionit, e se deri kur do të jetë e mbyllur ende nuk dihet.

Për një nga banorët e kësaj zone zjarri ka qenë i pritshëm, sepse aty zakonisht qëndrojnë persona të pastrehë, të cilët vazhdimisht ndezin zjarre e autoritetet nuk kanë reaguar.

-Të pastrehë, çfarë nuk ka ndër urë, mblidhen edhe narkomanë, e ne vazhdimisht i paraqesim ndërsa ata nuk brengosen kanë qenë nja dy herë edhe aq Për sigurinë e urave askush nuk mban rend, njëjtë është edhe me urat e tjera. Tre milionë apo sa kushtonte ura, tani nuk besoj se do të jetë në funksion nuk besoj sepse betoni ka pëlcitur, brenda kishte armaturë, mbajtëset sigurisht se kanë lëshuar, me gjasa. Kjo nuk do të mund të lëshohet dy deri në tre vjet, çfarë të them.

Përveç kësaj qytetarët ankohen edhe për rrëmujën në komunikacion që ka shkaktuar mbyllja e urës.

-Sinqerisht bëhet kaos. Unë jam studente dhe çdo fundjavë shkoj në shtëpi, e kam shumë më vështirë që duhet të sillem dhe të kaloj nëpër rrugë tjera nëpër Shkup, kështu që mendoj se duhet më shumë përgjegjësi ndaj situatës.

E deri sa qytetarët e vuajnë kaosin në trafik, VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza ndaj njëra-tjetrës. Në urën e djegur sot doli zëdhënësi i opozitares Naum Stoillkovski, nga ku u bëri thirrje autoriteteve që sa më shpejt ta vënë urën në funksion.

“Kërkojmë përgjegjësi nga koalicionit Arsovska-LSD nëse ura “Bellasica” nuk bëhet e sigurt dhe funksionale në kohën më të shkurtër të mundshme!”, theksoi Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE.

“Po të mos ishte kokëfortësia e Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së, nëse do ta përfundonin urën në bulevardin ASNOM, tash qytetarët e asaj pjese të qytetit do të kishin alternativë të përshtatshme, dhe ngjeshja në MANU nuk do të ekzistonte”, thonë nga LSDM.

Nga Qyteti i Shkupit këtë mëngjes kumtuan se po punohet për ekspertizën e gjendjes së urës për të konstatuar nëse ka dëmtime konstruktive. Për momentin ura është e mbyllur si masë parandaluese, derisa të marrin garanci nga institucionet përkatëse se është e sigurt ose duhet ndërhyrje, thonë nga atje, duke shtuar se është e pavlerë që dekanët, ekspertët e paidentifikuar si dhe “burimet” e paidentifikuara të shkaktojnë panik te qytetarët.