Ukraina raporton për bombardime të rënda në lindje, konfirmon tërheqjen nga Kreminna

TË FUNDIT

Zyrtarët ukrainas në rajonet e Kharkivit dhe Luhanskut kanë raportuar për bombardime të rënda nga forcat ruse të hënën, ndërsa kanë pranuar se është dashur të tërhiqen nga qyteti Kreminna, raporton CNN.

Kryetari i Kharkivit, Ihor Terekhov, ka thënë se qyteti është duke u bombarduar vazhdimisht. Ai ka akuzuar Rusinë se po bombardon komplekse banesore, ku ka civilë e po ashtu edhe spitalet.

“Ka të lënduar e të vdekur”, tha Terekhov.

Ai ka thënë se 30 për qind e popullatës është larguar nga qyteti që kur nisi pushtimi rus më 24 shkurt.

Ndërkohë kreu i administratës rajonale ushtarake në Luhansk, Serhii Haidai, ka thënë se për shkak të sulmeve ruse disa zona banimi kanë mbetur pa energji elektrike, ujë dhe gaz.

Ai ka pranuar se trupat ukrainase janë tërhequr nga qyteti Kreminna në rajonin e Luhanskut të hënën për shkak të bombardimeve të rënda ruse.

“Kishte betejë të ashpër natën; trupat tanë u tërhoqën në pozita që i ka ndihmuar ta mbrojnë veten”, tha Haidai.