“Ukraina do të fitojë, siç fituan shqiptarët”/ Ahmeti me bashkëpartiakë në malësinë e Tetovës

TË FUNDIT

Ukraina do ta fitojë luftën siç e fituan shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sepse njëjtë si ne, edhe ukrainasit janë në tokën e tyre! Këtë e tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti në takimin e mbrëmshëm me mbështetësit në malësinë e Tetovës nën sloganin “Bashkë për Europë”.

“Luftën e ka fituar ai popull ai komb që ka luftuar për kombin e vet, për popullin e vet, ashtu siç fituam edhe ne. Unë ka takuar një delegacion nga Ukraina edhe i kam thënë se kjo luftë do të fitohet nga ju se ju jeni në vendin tuaj, por ngjeshini radhët fort sepse fitorja është në anën tuaj pasi që nuk luftoni në vend të huaj, sepse fitorja i takoj atij që është me këmbë aty. Kush e fitoi këtu, e fituam ne se ne me këmbë këtu ishim, çizmja jonë këtu ishte, nuk ishte çizmja e huaj.”- deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar BDI.

Për këto fjalë të Ahmetit mbrëmë, sot gazetarët e pyetën kreun e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

“Unë kam qenë vullnetar në Armatë dhe nuk ka atë ndjesi se ai është fitues në atë luftë, por njëkohësisht supozoj se ka treguar se për sa qindra miliona euro është rritur pasuria e familjes së Ahmetit dhe njerëzve që e rrethojnë Ahmetin, në llogarinë e njerëzve që janë invalidë ose që e kanë humbur jetën”- pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar VMRO-DPMNE.

Me arritjet e shqiptarëve në institucione mbrëmë u lëvdua edhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, i cili këtë vit është dhe kryesues i OSBE-së.

“Shqiptarët e Maqedoninë në zyrat e OSBE-së kanë hyrë vetëm për të paralajmëruar dhunë policore ndaj tyre për të paralajmëruar diskriminim ose për t’u ankuar për diskriminim të institucioneve ndaj tyre për të lajmëruar ndonjë konflikt por asnjëherë në formë tjetër. Por shihni çfarë sjell një histori e shkurtër për pak vite, realisht një histori, një kontekst prej 20 viteve janë një sekondë, por tash shqiptarët në zyrë të OSBE-së nuk hynë por t’u ankuar për dhunë policore pasi që në zyrë me mua ishte shefi i policisë së Tetovës, me mua ishin gjithë institucionet dhe unë hyra aty si i pari i kësaj organizate.”- tha Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.

Takimin e radhës BDI në Tetovë ka me forumin e gruas! Njëjtë takimet po i vazhdon edhe i ashtuquajturi grupi i zjarrit, të cilët sonte qëndrojnë me forumin e gruas në Shkup, ku flasin për pakënaqësitë e tyre.