Ujërat fekal i derdhte në kanalizimin atmosferik! Krim mjedisor në Tetovë: Një biznesi i madh ndoti rrjetin e qytetit

TË FUNDIT

Gjatë inspektimeve në terren, ekipet e ndërmarrjes komunale të Tetovës u përballën me diçka që mund të konsiderohet krim mjedisor!  Një biznes i madh, në shpërfillje totale të ligjit dhe shëndetit publik, kanë lidhur rrjetin e ujërave fekale direkt në kanalizimin atmosferik.

“Në terren, pasi siç e shihni këtu ku gjendem prapa meje, është vendosja e një kanalizimi fekal, i cili në dokument shkruan se është kanalizim fekal, ndërsa është i vendosur në kanalizim atmosferik. Bëhet fjalë për një qendër tregtare, e cila gati ka pasur kohë pas kohe paralajmërim që ta largojë këtë, pasi është një dëm i madh për qytetarët e Tetovës ky kanalizim i cili është i vendosur pikërisht këtu.  Nuk mundet një qendër e madhe tregtare ta vendosë kanalizimin fekal, ta vendosë në kanalizim atmosferik, pasi është një ndotje e madhe që i bëhet qytetit të Tetovës. Mos dashtë Zoti që të ndodhë ndonjë fatkeqësi natyrore, atëherë do ta kemi problemin më të madh”, tha Valon Zeqiri.

Nga ndërmarrja “Sharri” thonë se më skandaloze është se lidhja e biznesit në kanalizim në prill të vitit 2021  është bërë për një shumë prej vetëm prej 44 mijë denarshë, një shumë që qytetarët tash e paguan për lidhje në ujësjellës dhe kanalizim.

Njoftimet e njëpasnjëshme të ndërmarrjes deri më tani nuk dhanë efekte që bizneset të lidhen në mënyrë të ligjshme me rrjetin e ujësjellësit në Tetovë. Kështu, ndërmarrja komunale ka nisur të vendosë ujëmatës digjital tek konsumuesit më të mëdhenj në qytet.

“I kemi paralajmëruar që të mos bëhet vjedhja e ujit, pasi po na shkakton shumë probleme ndaj qytetarëve të thjeshtë, të cilët e paguajnë çdo muaj ujin. Dhe kam apeluar që të kthehen, të paraqiten te Ndërmarrja ‘Sharri’, t’i evidentojmë problemet ku i kanë dhe t’i kyçim ashtu siç duhet në rrjetin e ujësjellësit me dokumente, dhe që të vazhdojnë të bëjnë pagesën e rregullt të ujit”, deklaroi Zeqiri.

Si konsumues të mëdhenj të ujin llogariten qendrat tregtare, restorantet dhe lavazhet.